Zhvillim

Kosovarët vazhdojnë ta preferojnë bregdetin shqiptar

Edhe trendi i investimeve ekonomike të kosovarëve në Shqipëri në tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar rritje prej 24 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë

Kosovarët gjithnjë e më tepër të interesuar që pushimet e tyre t’i kalojnë në bregdetin shqiptar, pasi që sipas autoriteteve të Tiranës sezoni i sivjetmë turistik e gjen Shqipërinë me një turizëm më cilësor, me më shumë investime e me plazhe më të pastra.

 

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Milva Ekonomi, ka thënë se numri i madh i pushuesve nga Kosova në brigjet shqiptare lidhet me faktin se turistë flasin të njëjtën gjuhë me nikoqirët, por ajo ka numëruar edhe faktorë të tjerë e kryesori është se çmimet në Shqipëri vazhdojnë të jenë më të lira krahasuar me vendet fqinje.

 

Po ashtu, sipas ministres për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë, Milva Ekonomi, edhe trendi i investimeve ekonomike të kosovarëve në Shqipëri në tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar rritje prej 24 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Po ashtu, sipas ministres Ekonomi trendi negativ me  – 4 milionë euro sa ka qenë në tremujorin e parë të vitit 2016, ka treguar rritje në rreth 2 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2017, duke shprehur qartë zgjimin e interesit të investitorëve kosovarë për të investuar në Shqipëri.