Gruaja

Kosovarja mbahet tetë muaj e ngujuar nga bashkëshorti

Përgjatë tetë muajve, një kosovare 23 vjeçe në Kantonin e Tiçinos nuk ka guxuar të dalë nga banesa. Ndërkohë ajo është arratisur dhe ka rrëfyer për media fatin e saj të hidhur

Ajo ishte e burgosura ndërsa familja e të shoqit kishte marrë rolin e gardianit. Kështu e përshkruan 23 vjeçarja  Fatime* (emri i mbrojtur) nga Kosova ferrin që kishte përjetuar në banesën e saj, shkruan 20minuten.ch

“Ata më përgjonin ditë e natë. Nuk guxoja të dilja e vetme as për të blerë dhe as për ta shoqëruar vajzën në parkun e lodrave, menjëherë mbrapa banesës”, rrëfen Fatimja. Dhe e gjithë kjo ka ndodhur nga frika se ajo do të ikte, transmeton albinfo.ch. Përveç që ishte mbajtur e ngujuar, ajo vazhdimisht edhe është rrahur nga i shoqi.

Ky i fundit nuk e kishte njohur Fatimen para se të martohej me të. Martesën e kishin aranzhuar familjet. “Para martesës ne jemi parë vetëm një herë, një ditë të vetme. Por, kështu shkojnë këto punë te ne”, rrëfen Fatimja.

Situata ishte përkeqësuar me lindjen e vajzës së përbashkët. “Përnjëherë bashkëshorti im u bë njeri krejtësisht tjetër, gjaknxehtë dhe i dhunshëm.

Fati i Fatimes nuk kishte mbetur i pavënë re. Të shqetësuar nga britmat e saj që dëgjoheshin nga banesa, fqinjët e kishin alarmuar disa herë policinë, përcjell albinfo.ch. Por, për të shpëtuar nga ferri ku kishte rënë, Fatimja ishte dashur të vepronte vetë.

“Pas shumë përpjekjeve për të ikur, unë një ditë e mora vajzën dhe ikëm bashkë me të. Nuk kisha asgjë me vete përveç karrocës së fëmijëve. Nuk e dija italishten dhe nuk e njihja as qytetin ku jetoja”.

Pas arratisjes ajo kishte bërë kallëzim penal për bashkëshortin, dhe ndërkohë procesi ishte zhviulluar.

Ndonëse raste kaq ekstreme sikur ky i Fatimes janë të rralla, megjithatë nuk mund të bëhet fjalë për një rast të veçuar. Sipas Këshillimores për gra në Lugano, vetëm gjatë vitit 2016 në Tiçino kanë ikur nga shtëpitë e tyre 300 gra, të shtyra nga dhuna familjare, transmeton albinfo.ch shkrimin e 20minuten.ch. Dhe, kështu ndodh jo rrallë te martesat e aranzhuara.

Fatimja tash jeton në liri, por frika mbetet shoqëruese e përhershme e saj: Familja e ish bashkëshortit e ka kërcënuar atë me vdekje.