Lajme

Kosovë, arsimi e shëndetësia në grevë

Greva po zbatohet në shumicën e shkollave kosovare, ndërsa në shëndetësi po punon vetëm sektori emergjent

Dy sektorët e rëndësishëm të Kosovës, shëndetësia dhe arsimi kanë hyrë në grevë njëditore në shenjë pakënaqësie me Qeverinë e Kosovës e cila nuk po e zbaton Kontratën Kolektive që e ka nënshkruar në prill të vitit të kaluar. Greva po zbatohet në shumicën e shkollave kosovare, ndërsa në shëndetësi po punon vetëm sektori emergjent.

Kontrata Kolektive që parashikon në kontrata afatgjate për punëtorët, shujta ditore, pagesën për udhëtim dhe pushimin e lehonisë, rregullon të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se greva një ditore vjen si pasojë e mosreflektimit të Qeverisë. Ai tha se nëse nuk do të realizohen kërkesat e tyre, mund të ketë veprime të tjera sindikale të shkallëzuara, derisa qeveria të reflektojë pozitivisht.

“Urojmë që pas kësaj greve Qeveria e Kosovës të ulet me SBASHK-un të bisedojnë konkretisht për të gjetur zgjidhje për të dalë nga kjo situatë momentaleÇ, deklaroi Jashari.

Ndërsa greva 24 orëshe po vazhdon edhe në sektorin e shëndetësisë. Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, tha se greva po vazhdon në të gjitha sektorët, përveç shërbimit emergjent.

“Sot Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, gjegjësisht punëtorët shëndetësorë kanë filluar grevën nga ora 7- të e mëngjesit. Fillimisht kërkojmë ndjesë nga qytetarët dhe i lusim ata të na mirëkuptojnë”, tha Syla, duke njoftuar se greva do të zgjasë deri në orën 7 të mëngjesit të së shtunës.

Ndërsa duket se kjo grevë nuk e ka bindur kryeministri Isa Mustafa që t’i plotësojë kërkesat e arsimit e shëndetësisë. Ai iu ka thënë sindikalistëve gjatë takimit në zyrën e tij se nuk do të bëjë veprime nën presionin e tyre, që do të çonin në implementimin e Kontratës Kolektive e as në realizimin e kërkesave të tjera.

Qeveria e Kosovës edhe më herët ka paralajmëruar se zbatimi i Kontratës Kolektive në tërësi nuk do të mund të realizohet deri në rishqyrtimin e buxhetit të Kosovës, në muajin qershor.