Lajme

Kosovë, brenda vitit 9 punëtorë të vdekur

Personat të cilët kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, kanë punuar kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat në Kosovë raporton për 12 punëtorë të vdekur në vendin e punës, gjatë vitit 2015 dhe gjatë katër muajve të këtij viti. Ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare të institucioneve kosovare, janë lënduar 45 punëtor si rezultat i kushteve jo të mira të punës.

Personat të cilët kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, kanë punuar kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës, ka thënë për REL se statistikat e viteve paraprake lidhur me humbjen e jetës së punëtorëve në vendin e tyre të punës janë afërsisht të njëjta me disa përmirësime ende jo të kënaqshme.

“Në vitin 2014 ka qenë përafërsisht statistikë e njëjtë me vitin 2015. Derisa në vitin 2013 dhe atë 2012, kanë qenë 17 persona të vdekur në vendin e punës. Nëse krahasohen statistikat ndër vite, gjendja vitet e fundit është në përmirësim e sipër, por që ne megjithatë nuk jemi të kënaqur me këtë gjendje çfarë është”, ka thënë Ibrahimi.

Kuvendi i Kosovës në vitin 2011 ka miratuar Ligjin e Punës. Sipas këtij ligji, i punësuari ka të drejtë në sigurinë në punë, në mbrojtje të shëndetit dhe në ambientin e përshtatshëm të punës.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK), thotë se punëtorët në sektorin privat janë të rrezikuar në vendin e tyre të punës për shkak të kushteve jo të mira të punës.

Ai gjithashtu ka shtuar se rreth 80 për qind e kompanive private nuk i përmbushin kriteret ligjore që kanë të bëjnë me Ligjin e Punës.

“Kompanitë dhe pronarët e tyre as 20 për qind nuk e respektojnë ligjin, duke u nisur nga gjërat elementare, si kontrata e punës. Në përgjithësi Ligji i punës nuk zbatohet. Kemi ankesa të përditshme nga punëmarrësi dhe atë të natyrave të ndryshme dhe më ekstreme”, deklaroi ai.

Në sektorin publik numri i të punësuarve kalon shifrën 81 mijë, ndërkaq sektori privat në Kosovë është punëdhënësi më i madh. Sipas statistikave zyrtare, thuhet se në këtë sektor janë të punësuar mbi 220 mijë punëtorë.