Lajme

Kosovë, certifikohen 15 trajnerë të boksit

Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Mehmet Bogujevci, vlerësoi lart kursin teknik shtatëditor që është mbajtur në Prishtinë, në të cilin ligjëratat i mbajti eksperti ndërkombëtar, Mihail Takov

Boksit kosovar nga dita e sotme iu shtuan edhe 15 trajnerë të rinj, të cilët u licencuan sot nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Mehmet Bogujevci, vlerësoi lart kursin teknik shtatëditor që është mbajtur në Prishtinë, në të cilin ligjëratat i mbajti eksperti ndërkombëtar, Mihail Takov.

Bogujevci tha se kjo është hera e dytë që federata në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar organizon seminar për kualifikimin e trajnerëve, për certifikimin me një yll nga Federata e Boksit Botëror.

Edhe Mihail Takov ka thënë se kjo është një arritje për Federatën dhe Kosovën, të cilët do të jenë kontribuues për zhvillimin e këtij sporti.

“Gjatë gjithë kësaj kohë sa kam marr pjesë në këtë kurs, jam munduar tërë kohën me i shpjeguar gjerët më të reja të cilat janë rregulla të “Aiba”, AB dhe C. Federata e Boksit, Komiteti Olimpik I Kosovës kanë me pasur zgjidhje të trajnerëve për me mundur me i shfrytëzuar në vende të ndryshme, ku shumica prej tyre(trajnerëve) janë të rinj dhe do të kenë përvojë më të gjatë”, tha Takov, citon KP.

Pjesëmarrësi në këtë kurs, i cili u certifikua nga Federata e Boksit, Musli Zymberi tha se me anë të këtij trajnimi kanë arritur njohuri të mëdha për zhvillimin e boksit në Kosovë.

“Kemi mësuar shumë gjëra të reja për me zhvilluar boksin në të ardhmen në mënyrë më të rregullt dhe më të drejtë”, theksoi Zymberi.