CH-Ballkani

“Kosovë is everywhere”: Një projekt kulturor Zvicër – Kosovë

Në kuadër të programit, do të vizitohen gjashtë qytete në Kosovë. Perfomanca do të zhvillohet në gjuhën shqipe, frënge, gjermane, rome, serbe, gjermane (të Zvicrës) dhe turke (të gjitha me titra në shqip).

Kosovë is everywhereLiteraturë.Kosovë.Raki.Zvicër.Muzikë. Nga 28 shtatori deri më 13 tetor, në Kosovë do të zhvillohet “Kosovë is everywhere”, një projekt i madh letrar i “Bern is überall” nga Berna dhe Qendrës Multimedia nga Prishtina, bën të ditur në një postimn në Facebook, udhëheqësi i Qendrës Multimedia, dramaturgu dhe regjisori, Jeton Neziraj.

Fjalë për skenë e jo për letër – ky është koncepti i performancës “Kosovë është kudo”. Katërmbëdhjetë autorë nga Kosova dhe Zvicra dalin në skenë bashkërisht dhe prezantojnë letërsinë si një lloj performance. Ngjashëm me një orkestër kamertale, ata prezantojnë kompozime verbale; ata bëjnë vallëzime gjuhësore; rrëfejnë tregime të përditshme; recitojnë poezi të përdala; përsërisin dhe ndryshojnë lista fjalësh; ngërthehen në anekdota të shkurta bizare si dhe përcillen me kitarë, harmonikë, bas kitarë, perkusion e daulle.

Ahengu shumëgjuhësh është i pashmangshëm. Do të vizitojmë gjashtë qytete në Kosovë. Perfomancën do ta zhvillojmë në gjuhën shqipe, frënge, gjermane, rome, serbe, gjermane (të Zvicrës) dhe turke (të gjitha me titra në shqip). Do të rrëfejmë tregime të cilat janë krijuar për këtë ngjarje të veçantë ndërkombëtare. Shpresojmë që ky të jetë fillimi i një miqësie të gjatë kulturore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Motoja jonë? Të gjitha gjuhët janë të barabarta!

Autorët e muzicientët pjesmarrës janë: Laurence Boissier, Blerina Rogova-Gaxha, Ervina Halili, Arben Idrizi, Dardan Islami, Antoine Jaccoud, Guy Krneta, Meral Kureyshi, Gerhard Meister, Pedro Lenz, Kujtim Paçaku, Shpëtim Selmani, Ariane von Graffenried dhe Milosh Zhivanoviq. Muzikë: Adi Blum (accordion), Art Lokaj (guitar), Michael Pfeuti (bass), Maru Rieben (percussion), Drin Tashi (drums).

Ka shumë arsye përse këta artistë nga “Bern ist überall” po hyjnë në dialog me artistë nga Kosova. Por natyrisht, njëra nga arsyet është lidhja e pashkëputshme që ekziston mes Kosovës dhe Zvicrës. Kur zhdergjeni rrugëve të Prishtinës ju ndodhë kaq shpesh të dëgjoni kosovarë që flasin gjermanishte të Zvicrës. Në Ferizaj takon plot shqipe që shumicën e kohës jetojnë në Renens apo Payerne. Por, fatkeqësisht, shkëmbimet letrare mes dy vendeve janë të lëna mbas dore. Ky projekt ka për qëllim të krijoj lidhje të qëndrushme letrare. Diçka të tipit A Long and Lasting Love.

Përmbledhja e programit

E enjte, 28 shtator, ora 20:00 Prishtinë, Qendra Multimedia
E premte, 29 shtator, ora 20:00 Graçanicë, Hotel Graçanica
E shtunë, 30 shtator, ora 20:00 Ferizaj, teatri “Adriana”
E enjte, 5 tetor, ora 20:00 Prizren, Kino Lumbardhi
E shtunë, 7 tetor, ora 20:00 Gjakovë, Teatri i Qytetit
E enjte, 12 tetor, ora 20:00 Pejë, teatri “Istref Begolli”
E premte, 13 tetor, ora 20:00 Prishtinë, Universiteti i Prishtinës, amfiteatri i Fakultetit të Filologjisë.

Ky shkëmbim është mundësuar duke iu falenderuar Great Culture Prize nga Burgergemeinde Bern, të cilin Bern ist überall e ka fituar në vitin 2015, si dhe nga sponsor e partnerë si: granti Balkan i fondacionit kulturor Landis & Gyr, Pro Helvetia e Ambasada e Zvicrës në Kosovë.