Kosova

Kosovë, filloi numërimi i votave me kusht

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka po e përcjellë nga afër procesin e numërimit të votave me kusht  në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i votave me kusht, për komunat të cilat nuk do të shkojnë në rinumërim, ndërsa vëmendja është përqendruar të Istogu dhe Dragashi, ku diferenca ndërmjet kandidatëve të balotazhit, është shumë e vogël. Janë këto vota që përcaktojnë kryetarin e ri të këtyre komunave.

Numërimi po bëhet në të gjitha komunat e balotazhit që kanë pasur vota me kusht, por në shumë prej tyre rinumërimi është vetëm formal.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka po e përcjellë nga afër procesin e numërimit të votave me kusht  në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Ajo dëshiron të hedh poshtë çdo dyshim se mund të ketë paqartësi në këtë proces. Numërimi i votave me kusht dhe tyre me postë, nuk do të ketë në Prishtinë e Prizren, ku do të ketë rinumërim të tërësishëm të votave.

Ndryshe, në Dragash, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 6279 vota, kurse Selami Kryeziu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 6238 vota. Dallimi është 41 votë.

Ndërsa në Istog, Haki Rugova i LDK-së ka marrë 9247 vota, ndërsa Gani Dreashaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 8576 vota. Dallimi është 671 vota, por numri i votave më kusht në këtë komunë është mbi 1500 dhe sipas sondazheve, shumica janë nga Mali i Zi dhe pritet të shkojnë për kandidatin e AAK-së.