Zhvillim

Kosovë-Zvicër: Importi, dyfish më i lartë se eksporti

Shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës po i nxisin edhe investimet e jashtme direkte që po vijnë nga Zvicra në Kosovë dhe këtu po luan një rol shumë të rëndësishëm edhe diaspora kosovare, e cila është urë lidhëse ndërmjet komunitetit të biznesit në dy vendet. Në tri vitet e fundit Zvicra është investitori më i madh në Kosovë, duke kaluar kështu Turqinë e cila dominoi për disa vite me radhë.

Bashkimi Evropian dhe Zvicra janë partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. Përveç aspektit tregtar, Zvicra në dy vitet e fundit është duke dominuar edhe në investimet e jashtme direkte në Kosovë.

Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2017 në Kosovë janë planifikuar të jenë 1 miliard e 725 milionë Euro, ndërsa shpenzimet i tejkalojnë 2 miliardë euro. Rritja ekonomike prej 4%, pritet të vazhdojë edhe sivjet dhe kjo është duke ardhur si rezultat i rritjes së sektorit privat. Deri në vitin e kaluar rritja ekonomike gjithmonë bazohej në investimet publike nga arka e shtetit dhe donatorët.

Pjesa dërmuese e të hyrave për arkën e shtetit të Kosovës, vjen nga grumbullimi i tatimeve në pikat kufitare dhe këtu bëjnë pjesë edhe mallrat që vijnë nga Zvicra.

Ngjashëm me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, Kosova ka një bilanc tregtar negativ me Zvicrën, që nënkupton se shumë më tepër blen sesa që shet mallra dhe shërbime.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se importi vjetor nga Zvicra në Kosovë varion rreth 23 milionë euro. Në vitin 2010 Kosova kishte 20,9 milionë euro import nga Zvicra. Në 2011- 22,2 milionë; në 2012-22,7 milionë; në vitin 2013-21,0 milionë; në vitin 2014 importi i prodhimeve zvicerane u rrit në Kosovë dhe arriti shifrën 30,2 milionë, ndërsa në vitin 2015 u kthyen shifrat e rëndomta 23,7 milionë.

Të dhënat për vitin 2016 ende nuk janë publikuar, por njoftimet preliminare tregojnë se trendët e importit nga Zvicra janë të përafërta me vitet paraprake.

Produktet të cilat më së shumti importohen nga Zvicra në Kosovë janë makineritë, lëndët djegëse minerale, vajrat minerale, pajisjet elektrike dhe pjesët e tyre, produkte farmaceutike, mobilieritë (krevatet, dyshekët, mbajtëset), instrumentet dhe aparatet fotografike, druri dhe artikujt prej druri, qymyri i drurit, artikuj të tekstilit, plastikat dhe artikujt prej tyre, artikuj prej hekurit dhe çeliku, lëndët djegëse minerale, vajrat minerale, pije alkoolike, mjetet e transportit të ndryshëm, ekstraktet ngjyrosëse etj.

Eksporti kosovar në Zvicër ka trend rënie

Sa i përket eksportit nga Kosova në Zvicër, vëllimi i prodhimeve dhe shërbimeve kosovare të shitura, është pak më shumë se gjysma e prodhimeve të importuara.

Trendi i eksportit kosovar në Zvicër në pesë vitet e fundit sillet nga 10 deri në 18 milionë euro në vit. Në vitin 2010 në Zvicër janë eksportuar 17,8 milionë euro. Në vitin 2011 eksporti i prodhimeve kosovare ka qenë 17,6 milionë, në vitin 2012-15,1 milionë, në 2013- 7,2 milionë, më 2014- 10,1 milionë dhe në vitin 2015 eksporti kosovarë në Zvicër ishte 11,7 milionë.

Këtë të dhëna na tregojnë se eksporti i prodhimeve kosovare pas rënies drastike në vitin 2013, tani ka filluar të konsolidohet.

Prodhimet kryesore që eksportohen nga Kosova në Zvicër janë: lëndët djegëse minerale, vajrat minerale, mobilieritë; plastika dhe artikujt prej tyre; druri dhe artikujt prej druri, qymyri i drurit; artikuj prej hekurit dhe çeliku; alumin dhe artikuj prej tij; kafe, çaj, matë dhe erëza; artikuj prej guri allçie çimentoje asbesti; produkte të qeramikës; pije alkoolike; perimet ushqimore, rrënjët dhe zhardhok; përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave; qelq dhe artikujt prej qelqi; ekstraktet ngjyrosëse; letra dhe kartoni, artikuj të brumit të letrës; çadrat, çadrat e diellit; këpucë; librat, revistat, pikturat dhe produkte të tjera; ëmbëlsira; qilimat dhe veshjet të tjera të dyshemesë; bakër dhe artikuj prej bakri; goma dhe artikuj prej saj; veglat e punës, pajisjet e punës etj.

Trendët e tregtisë së jashtme për vitin 2017

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.7% në muajin janar 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 125,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 110,3 milionë Euro në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 14.6%.

Eksporti i mallrave në muajin janar 2017 kishte vlerën 21,4 milionë Euro, ndërsa importi 146,8 milionë euro, ku është një rënie prej (-3.7%) për eksport dhe një rritje prej 10.8% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 45.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.4% e përbëjnë produktet minerale; 8.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 8.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.8% e përbëjnë produktet bimore; 3.7% e përbën lëkura dhe artikuj prej saj; 3.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.5% të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.2% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.9% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 5.5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 5,4 milionë Euro, ose rreth 25.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 0.4%. Partnerët kryesorë per eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.4%), Holanda (4.0%), Britania e Madhe (4.0%) dhe Austria (2.4%).

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 63,8 milionë Euro, ose 43.4% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.3%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.0%), Greqia (4.8%), Italia (4.3%), Republika Çeke (2.9%) etj.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin janar 2017, arritën në 6,9 milionë Euro, ose 32.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 28.0%. Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (11.9%), Serbia (9.2%), Maqedonia (7.4%) dhe Mali i Zi (3.2%).

Zvicra, partneri kryesor i Kosovës për investime të jashtme

Shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës po i nxisin edhe investimet e jashtme direkte që po vijnë nga Zvicra në Kosovë dhe këtu po luajnë një rol shumë të rëndësishëm edhe diaspora kosovare e cila është urë lidhëse ndërmjet komunitetit të biznesit në dy vendet.

Në tri vitet e fundit Zvicra është investitori më i madh në Kosovë, duke kaluar kështu Turqinë e cila dominoi për disa vite me radhë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Financave të Kosovës, kapitali dhe fondi i investimeve në aksione, që përbën rreth 74.1 për qind të gjithsej investimeve të huaja direkte deri në gjysmën e vitit 2016, duke shënuar vlerën 62.8 milionë euro që është për 45.6 për qind më e ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Zvogëlim i investimeve në Kosovë u evidentua sidomos në sektorin e patundshmërive, në sektorin e ndërtimit dhe në sektorin e shërbimeve financiare. Në anën tjetër, sektorët e ekonomisë që u karakterizuan me rritje të investimeve ishin sektori i shërbimeve tregtare dhe sektori i bujqësisë. Sa i përket origjinës së investimeve, Zvicra paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti investime në Kosovë deri në qershor të vitit 2016 (26.0 milionë euro), pasuar nga Turqia me 17.8 milionë euro, Shqipëria me 17.4 milionë euro, Austria me 11.3 milionë euro, etj.

Edhe në vitin 2015 Zvicra printe në Kosovë me investime direkte. Gjatë periudhës janar-shtator 2015 Zvicra dominoi me investime (61.5 milionë euro), pasuar nga Turqia (49.4 milionë euro), Mbretëria e Bashkuar (32.7 milionë euro), Shqipëria (28.8 milionë euro), Sllovenia (25.3 milionë euro), Gjermania (20.8 milionë euro), etj.

Përveç investimeve direkte Zvicra zë vendin e dytë në Kosovë me dërgesa nga diaspora të cilat sillen rreth 700 milionë euro në vitin 2016. Remitencat që pranohen në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania 35% dhe Zvicra 24%.

Një pjesë e konsiderueshme e remitencave është pranuar edhe nga SHBA – të, gjegjësisht 6.6 për qind.

 Perspektiva e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës

Nëse merren parasysh resurset të cilat i posedon Kosova dhe potenciali që posedon Zvicra atëherë ekzistojnë mundësi të mëdha të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

Sektorët më inkurajues për rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe në fushën e investimeve janë sektori i shërbimeve online, sektori i teknologjisë së informacionit, energjia dhe minierat, bujqësia, turizmi etj.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se Kosova po bëhet gjithnjë e më tepër vend atraktiv për turistët nga Zvicra.

Në vitin 2013 Kosovën e vizituan 2591 zviceranë dhe këtu nuk bën pjesë diaspora kosovare. Më 2014 numri i vizitorëve nga Zvicra ishte 3336, më 2015 numri i vizitorëve ishte 5202 dhe më 2016 ky numër u rrit në 5574.

Këto statistika tregojnë se Kosova ka resurse të mëdha turistike, sidomos në turizmin malor, të cilat mund të përdoren si destinacion turistik për zviceranët.

(Autori është profesor i ekonomisë, [email protected])