Kosova

Kosovës i konfirmohet mbështetja e SHBA-së, nga Peter Marocco

Ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit për çështje të stabilitetit dhe sigurisë, Peter Marocco ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën do të vazhdojë dhe do të thellohet në të gjitha fushat

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Tiranë ka takuar ndihmës sekretarin Amerikan të Shtetit për çështje të stabilitetit dhe sigurisë, Peter Marocco, i cili po qëndron në Shqipëri si pjesëmarrës në mëngjesin e lutjeve.

Në njoftimin për media thuhet se Veseli ka diskutuar me Marocco, për zhvillimet politike në Kosovë dhe për bashkëpunimin Kosovë-SHBA.

Veseli ka thënë se Kosova po luan një rol të rëndësishëm për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit për çështje të stabilitetit dhe sigurisë, Peter Marocco, nga ana e tij ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën do të vazhdojë dhe do të thellohet në të gjitha fushat.