Lajme

Kosovës nuk i mungojnë akademikët por profesionistët e mirë të zanateve

Arsimi dual zviceran ose mësimi praktik kanë qenë shprehjet që janë përmendur më së shpeshti gjatë vizitës që zëvendësministri i Transportit, Fejmi Mujota në dy qendra të aftësimit për automekanikë në Yverdon-les-bains (Kantoni Vaud) dhe në Bernë

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Në qendrën për trajnim profesional në fushë të automekanikës Mobilcity në Bernë, çdo gjë rrjedh sipas planit. Mjeshtrit dhe ekspertët që janë vënë në dispozicion të delegacionit nga Kosova e kryejnë punën e tyre me akribinë që i dallon zviceranët dhe nuk i lënë asgjë rastësisë. Ata, tek shoqërojnë delegacionin e udhëhequr nga zëvendësministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota nëpër holet e qendrës, sqarojnë deri në detaje punën që realizohet në to. Nga aftësimi i shoferëve të kamionit, deri te hollësitë e provimit me shkrim e me gojë të automekanikëve. Aty shohim vetura të cilat duhet të çmontohen dhe të montohen prapë, si pjesë e provimit për automekanikët, siç shohim edhe formularë me pyetje për provimet me shkrim. Për të gjitha këto, është në dispozicion eksperti ose drejtuesi përkatës i cili rrëfen ecurinë e punës në çdo segment.

Punëtorja e re e kësaj qendre, Arjeta Berisha është aty për të përkthyer nga gjermanishtja dhe për të  sqaruar për mysafirët.

Arsimi dual zviceran ose lidhja e teorisë me praktikën profesionale, që në Zvicër ka gjetur zbatimin më të avancuar, kanë qenë shprehjet që janë përmendur më së shpeshti gjatë vizitës që zëvendësministri i Transportit, Fejmi Mujota në dy qendra të aftësimit për automekanikë në Yverdon-les-bains (Kantoni Vaud) dhe në Bernë. Suksesi i sistemit të përmendur dual në Zvicër ka qenë shtysë për sjelljen e delegacionit nga Kosova për t`u njohur me përvojat e avancuara të këtushme, aplikimi i të cilave në Kosovë mund të jenë me shumë interes. ​

​Albinfo.ch ka përcjellë këtë vizitë.

Ata kanë pasur një ditë të ngjeshur me këto dy vizita, me ç`rast kanë mundur të krijojnë një tablo të qartë rreth funksionimit të arsimit profesional në fushë të automekanikes. Ideja e gjithë kësaj është që përvoja zvicerane të bartet në Kosovë. Në këtë funksion, në përmbyllje të ditës së punës, mikpritësit dhe mysafirët janë marrë vesh për një vizitë që një grup ekspertësh të fushës nga Zvicra do ta bëjnë gjatë tetorit të këtij viti në Kosovë. Pala zvicerane është zotuar se ekspertiza dhe e gjithë puna që do ta bëjnë ekspertët në fjalë do të jetë pa kompensim ose një donacion për Kosovën. Ndërsa pala kosovare duhet të angazhohet vetëm për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit të tyre në Kosovë.

Mujota: Së shpejti me hapa konkretë

I pyetur nga albinfo.ch lidhur me këtë eksperiencë të re, zëvendësministri Mujota thekson fort faktin se Kosova ka nevojë për arsimim profesional dhe praktik. “Duke pasur parasysh nevojën për arsim profesional të gjeneratës së re në Kosovë në përputhje me nevojat e tregut, ne zhvilluam një vizitë të suksesshme e që pritet të japë rezultate konkrete. Të gjithë ne do të angazhohemi që diku në javën e tretë të tetorit të kemi një vizitë të nivelit profesional nga shkollat e këtushme përkatëse, nga ekspertët e fushës pra. Ata do të konsultohen me ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës por edhe ata të Ministrisë së Arsimit, për t`u përshtatur sa më parë që të jetë e mundshme edhe baza ligjore po edhe orientimet profesionale që rinia jonë të aftësohet në to. Hapat e parë në sistemin dual tashmë në Kosvë janë bërë, ka një bashkëpunim në këtë drejtim edhe me Gjermaninë dhe me Zvicrën, ka edhe marrëveshje bashkëpunimi. Tashmë mendoj se e kemi kaluar fazën e përshkrimit, identifikimit të nevojave dhe do të shkojmë në hapa konkretë, drejt diçkaje që jep rezultat. Ka interes dhe gatishmëri nga të dyja anët”, përfundon zëvendësministri Mujota.

Sarkany: Avokatë, mjekë e inxhinierë ka mjaft, Kosovës i nevojiten zanatlinj të mirë

Ndërsa kryetari i Dhomës së tregtisë Zvicër-Kosovë, Stefan Sarkany si nismëtar i kësaj vizite dhe i aktiviteteve tjera të ngjashme, thotë për albinfo.ch se kjo bën pjesë në prioritetet e organizatës që ai drejton. “Dhoma e Tregtisë Zvicër-Kosovëka ndër prioritetet e veta sigurimin e aftësimit profesional për të rinjtë në Kosovë dhe jo vetëm në këtë degë por në të gjitha degët e ekonomisë. Prej fillimit, objektivi ynë ka qenë që të eksportojmë nga Zvicra në Kosovë përvojat e këtushme më të mira. Kosova ka shumë nevojë për arsim profesional të nivelit shkollës së mesme. Kjo është baza e një ekonomie të qëndrueshme për një shtet që ka rininë e gatshme për të punuar. Duhet të them se inxhinierë, avokatë, mjekë etj. në Kosovë ka me tepricë. Atje ka nevojë për njerëz që të dinë të punojnë, të kryejnë punë praktike. Autoritetet kosovare e kanë kuptuar se ardhmëria e ekonomike e Kosovës shkon përmes rinisë së saj dhe aftësimit profesional të kësaj rinie. Ne me këtë vizitë kemi pasur për qëllim të ofrojmë një pamje të asaj çfarë mund të përfitojë Kosova nga shkollimi profesional zviceran. Tash u mbetet autoriteteve kosovare që ta çojnë punën më tutje”, thotë Sarkany për albinfo.ch.

Avdiu: Ideja është që përvojat zvicerane t`i bartim në Kosovë

Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë, Ramadan Avdiu thotë të ketë lidhur kontaktet me kryetarin e Unionit profesional të automobilave – seksioni Vaud (UPSA – Vaud), Nicolas Leuba, i cili ishte edhe udhëheqës i vizitës së delegacionit në dy qendrat e përmendura profesionale. “Në momentin kur ne kemi krijuar kontakt me z. Leuba dhe më ka treguar për punën me të cilën merret në fushë të aftësimit profesional të kuadrit automekanik, kam parë se është diçka interesante për vendin tonë dhe kam shfaqur interesim për bashkëpunim në këtë drejtim sepse Kosova ka shumë nevojë për shkolla profesionale, formim profesional. Kjo na ka shtyrë që të sensibilizojmë në këtë drejtim edhe opinionin tonë por edhe qendrat zvicerane për formim profesional në mënyrë që ne të marrim përvojat e tyre pasi që ata janë shembull në botë në këtë drejtim. Pra ideja jonë është që këto përvoja t`i bartim në Kosovë”, thotë Avdiu për albinfo.ch. Ai po ashtu  shpreson se do të gjenden mundësi përmes Ministrisë së Arsimit dhe ministrisë së Punës që përmes këtyre formave të bashkëpunimit të përgatiten njerëz për tregun e punës dhe të aftë për të kryer punë konkrete.

Leuba: Sistemi zviceran i arsimimit profesional, ideal për Kosovën

Për kryetarin e Unionit profesional të automobilave – seksioni Vaud (UOSA – Vaud), Nicolas Leuba, kjo vizitë ka qenë e frytshme dhe më se e nevojshme. “Ne sot kemi qenë në Yverdon ku kemi parë arsimimin bazik për automekanik se si zhvillohet ai në Kantonin Vaud, sa veta e ndjekin dhe në çfarë drejtimesh kryhet ai. Pastaj kemi ardhur në Bernë ku kemi parë se si qëndron puna në këtë drejtim së pari në Seksionin e Bernës e pastaj kemi vizituar salla të ndryshme të punëtorive. Jemi njoftuar me rrjedhën e trajnimit dhe kualifikimit për automekanikë dhe për shoferë kamionësh. Qëllimi sot ka qenë që mysafirët nga Kosova të shohin se si funksionon kjo te ne, në mënyrë që në të ardhmen të mund të ngremë ndonjë qendër të tillë trajnimi e kualifikimi edhe në Kosovë. Ne jemi të bindur se për Kosovën si vend i vogël, ky sistem është ideal. Sepse nuk është patjetër që të rinjtë të orientohen vetëm në universitete, pasi që nevojiten edhe zanatet. Ne nuk duhet të kemi vetëm mjekë dhe avokatë por edhe njerëz që dinë të punojnë punë praktike, të nevojshme për të gjithë”, thotë në fund Leuba për albinfo.ch.