Kultura

“Kosovo ist überall”, turne gjashtëmujor i artistëve nga Berna në Kosovë

Pas incizimit të CD-së, “Bern ist überall” së bashku me mikpritësit do të zhvillojë një turne nga 25 shtator deri më 15 tetor. Në vitin 2018 një turne i ngjashëm do të mbahet edhe në Zvicër

“Kosova është kudo” titullohet artikulli i gazetës “Bund” të Bernës, botimi i sotëm. I shkruar gjermanisht si “Kosovo ist überall” ky titull është aludim në “Bern ist überall”, që është emri i një grupimi artistik letrar. Në artikull bëhet fjalë për sprovën interesante që ka marrë ky grup, për të shkuar në Kosovë, ku, së bashku me artistë kosovarë do të realizojë një CD dhe do të zhvillojë një turne prezantimesh nëpër disa qytete të atjeshme.

Për të realizuar këtë projekt, grupi ka vendosur të qëndrojë plot gjysmë viti në Kosovë, për çfarë tashmë ka rezervuar edhe banesat me qira në Prishtinë për gjashtë muajt e ardhshëm, shkruan bund.ch dhe transmeton albinfo.ch.

Autorja dhe kolumnistja Ariene von Graffenried, pjesëtare e këtij grupi thotë se shpreson që në bashkëveprim me artistët dhe muzicientët kosovarë do të kenë shkëmbime të vlefshme lidhje kontaktesh etj.

Pasi që pjesëtarët e Spoken-Word-Gruppe “Bern ist überall” janë një grup artistësh që merren në mënyrë intensive me fjalët, me gjuhën e folur (dialektin zviceran kryesisht) në të gjitha variantet dhe ngjyrimet e saj, ata kanë dashur që këtë prirje të tyre ta pasurojnë edhe me gjuhët e huaja. Për ta bërë këtë, thotë anëtari tjetër, Guy Krneta u është dukur se askund më mirë nuk “ndez” se në Kosovë, transmeton albinfo.ch. Sipas tij në mes të Zvicrës dhe Kosovës prej dekadash ekzistojnë marrëdhënie të ngushta. Në fund të viteve  `90 në Zvicër jetonin rreth 150 mijë kosovarë si gastarbajterë. Pastaj, me luftën e Kosovës në vitet 98/99 këtu erdhën edhe rreth 90 mijë të tjerë si refugjatë, transmeton albinfo.ch. Shumë prej tyre sot e kanë pasaportën zvicerane, e kuptojnë gjermanishten, frëngjishten dhe dialektin (schweizerdeutsch).

Nga ana tjetër, edhe shqipja e kosovarëve është shumë e pranishme në Zvicër. “Shqipja është një gjuhë shumë e vjetër dhe ka një tingëllim të mrekullueshëm”, thotë Graffenried. “Dhe pasi që ajo është zhvilluar si gjuhë e pestë e vendit, do të ishte mirë sikur ta kisha mësuar në shkollë”.

Vendimi për të dalë jashtë Zvicrës lidhet me një çmim të kulturës që grupi ka marrë në vitin 2015 nga qyteti i Bernës. Çmimi prej 100 mijë frangash parashihet të shpenzohet duke e afirmuar kulturën e Bernës jashtë qytetit dhe kantonit, përcjell albinfo.ch. Ndërsa “Bern ist überall” një pjesë të vlerës së këtij çmimi ka vendosur ta shpenzojë jashtë shtetit, gjegjësisht në Kosovë.

Pas incizimit të CD-së, “Bern ist überall” së bashku me mikpritësit, artistë shqiptarë, serbë dhe romë nga Kosova, do të zhvillojë një turne. Nga 25 shtatori deri më 15 tetor është planifikuar turneu me prezantime në: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj dhe Pejë. Pastaj, për vitin 2018 një turne i ngjashëm është paraparë të mbahet edhe në Zvicër.

Duke qenë se në Kosovë pothuajse nuk njihet gjinia letrare “slam poetry”, që është në fakt fusha kryesore e krijimtarisë së grupimit artistik “Bern ist überall”, ata thonë ta kenë pasur paksa vështirë të lidheshin me skenën e atjeshme artistike. Në fund kanë vendosur kontakt me dramaturgun dhe regjisorin tashmë të njohur edhe në Bernë, Jeton Nezirajn.

Më tutje gazeta i bën një prezantim Nezirajt, duke vënë në pah sulmet e herëpashershme që ai pëson nga qarqe konservative për qëndrimet e tij të njohura kritike ndaj establishmentit dhe për bashkëpunimin me artistë nga Serbia. E fundit ishte shfaqja e tij “Bordeli ballkanik”, që ngriti shumë temperaturën në Pirshtinë. Neziraj njihet për një bashkëpunim të pasur me teatrin “Schlachthaus” të Bernës.

Po ashtu në projekt është edhe Dardan Islami, i njohur në Kosovë si një artist i “Stand-up” komedisë, poetja Ervina Halili dhe aktori e autori Shpëtim Selmani.

Janë ftuar edhe shkrimtarja e njohur Meral Kureysh nga Berna, me prejardhje turke nga Prizreni, reperi i njohur Besko, i dëbuar më parë nga Zvicra në Kosovë. Ndërsa inkuadrimi në grup edhe i një serbi, thonë në “Bern ist überall” është realizuar duke e zgjedhur  autori dhe regjisori serb Milosh Zhivanoviç, shkruan bund.ch transmeton albinfo.ch.  Sipas anëtarit të grupit, Aldo Blum, prezantimi i serbit në Prishtinë dhe në Prizren nuk përbën problem ndërsa do të ishte me rrezik nëse ai do të prezantohej edhe në regjionet e prekura më shumë nga lufta.

Më 24 maj do të jetë prezantimi i parë i grupit, në kuadër të “Ditëve të gjuhës gjermane”, që mbahen prej disa vitesh në Prishtinë, nën organizim të ambasadave të Gjermanisë, Zvicre¨s dhe Austrisë në Kosovë.