Shqipëria

Kostot e dërgimit të remitancave në Shqipëri, më të lartat në rajon

Sipas një vrojtimi të Bankës Botërore, kosto e dërgimit të parave në rrugë formale në Shqipëri është 9.4% e shumës së dërguar, ndërsa për rajonin, mesatarja është 7.2%

Kostot e dërgimit të remitancave në Shqipëri janë më të larta në raport me rajonin.

Sipas një vrojtimi të Bankës Botërore, kosto e dërgimit të parave në rrugë formale në Shqipëri është 9.4% e shumës së dërguar, ndërsa për rajonin, mesatarja është 7.2%, raportojnë mediat shqiptare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se duhet punuar për të ulur kostot e transfertave, në mënyrë që të ulet edhe niveli i lartë i dërgesave kesh “cash”.

“Duke vlerësuar përfitimet që rrjedhin nga depërtimi formal i remitancave në ekonomi dhe kontributin e deritanishëm të sektorit bankar dhe financiar, Banka e Shqipërisë sugjeron një vëmendje më të shtuar në drejtim të reduktimit të kostove të transfertave, dhe përmirësimit ose dizenjimit nga e para të produkteve dhe shërbimeve të dedikuara për këtë segment të popullatës”, u shpreh Sejko, përcjell albinfo.ch.

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Diasporën, organizuan një takim të nivelit të lartë për remitancat, me pjesëmarrjen e drejtuesve të bankave tregtare dhe subjekteve financiare jo banka në angazhuara në aktivitetin e transfertave të parave.

Guvernatori Sejko dhe ministri Majko vlerësuan kontributin e madh të emigrantëve në ekonominë shqiptare përmes dërgesave të parave, duke vënë njëkohësisht theksin te rëndësia e një përdorimi sa më efektiv të këtyre parave.

Palët nënshkruan edhe një Memorandum Mirëkuptimi, me synim rritjen e ndërgjegjësimit, lehtësimin e dialogut dhe nxitjen e bashkëpunimit për çështje që kanë të bëjnë me kontributin e dërgesave në para nga emigrantët shqiptarë për zhvillimin e ekonomisë.