Sport

Krasniqit, për herë të dytë “i rrëshqet” titulli nga dora

Jurgen Brähmer e kishte nënçmuar sfiduesin e tij, Robin (Haxhi) Krasniqin duke mos denjuar as të shikojë videon për të studiuar mënyrën e tij të të boksuarit. Por, në pesë raundet e para, Krasniqi ka qenë një befasi e pakëndshme për gjermanin me përvojë. Megjithatë, nga raundi i gjashtë Brähmer ka treguar cilësitë e tij, sidomos qëndrueshmërinë.

Në raundin e nëntë, pas një serie goditjesh të Krasniqit, Brähmer i është kthyer atij me kundërgoditje të fuqishme duke i shkaktuar nokdaun. Edhe pse dueli vazhdoi, Krasniqi kishte pësuar lëndim serioz gjë që shtyri mjekun dhe gjyqtarët ta ndërpresin meqin.

Brähmer mbrojti titullin e kampionit botëror në versionin WBA ndërsa Krasniqi edhe kësaj here nuk ia doli të ngjitet në piedestalin e më të mirit të botës. Megjithatë boksieri me prejardhje nga Kosova ka treguar se së paku është në gjendje për të boksuar në nivelet më të larta të boksit botëror.