Bota

Kritika shtetit gjerman: Premitë për kthim, joshje e rreme për azilkërkuesit

Pro Asyl: “Në këtë mënyrë njerëzit po joshen në mënyrën më të keqe për të mos ushtruar të drejtat që u takojnë”

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “Pro Asyl” ka kritikuar Qeverinë Federale të Gjermanisë për “premitë” që kjo e fundit i ka shpallur si joshje për kthim të azilkërkuesve të cilëve u është hedhur poshtë azili.

“Në këtë mënyrë njerëzit po joshen në mënyrën më të keqe për të mos ushtruar të drejtat që u takojnë”, ka thënë udhëheqësi i kësaj organizate, Burkhart për Agjencinë Gjermane të Lajmeve DPA në Berlin.

Duke qenë se aksioni i premive ekstra është madje edhe i kufizuar në kohë (3 muaj), ai i shtyn personat e prekur për të bërë veprime të nxituara, transmeton albinfo.ch.

Siç kemi shkruar tashmë, ministri i brendshëm i Gjermanisë de Maiziere, ka shpallur dhënien e premive për t`i nxitur azilkërkuesit që të kthehen vetë në vendet e prejardhjes. Krahas ofertave të deritashme, me këtë premi një person do të marrë 100 euro ndërsa familjet, deri në 3000 euro. Oferta vlen deri në fund të muajit shkurt 2018.