Sport

Kryeziu, krenar që luan për Kosovën

“Njerëzit në Kosovë nuk kanë shumë para, megjithatë, kanë zemër të madhe dhe na kanë përkrahur gjithmonë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Kryeziu

Njëri nga mesfushorët më të mirë të Përfaqësues së Kosovës është Hekuran Kryeziu. Ai ndihet krenar që luan për Përfaqësuesen më të re të Evropës, shkruan albinfo.ch.

Në një intervistë për mediat zvicerane, Kryeziu ka treguar për njerëzit në Kosovë. “Njerëzit në Kosovë nuk kanë shumë para, megjithatë, kanë zemër të madhe dhe na kanë përkrahur gjithmonë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Kryeziu.

Megjithatë, ai nuk ka arritur t’i ikë pyetjeve politike. “Jam rritur në Zvicër me fëmijët nga Serbia dhe kemi ngrënë me një pjatë me ta. Kombësia dhe feja nuk më interesojnë shumë”, është shprehur mesfushori kosovar.

Kryeziu ka shtuar se kur mundet, ndihmon qytetin e lindjes së tij, Gjilanin. Kryeziu luan në Luzern dhe kohë më parë kishte probleme me trajnerin, megjithatë, tashmë gjithçka është qartësuar dhe mbetet njëri nga futbollistët kryesor të kësaj skuadre.