Lajme

Kthehen kosovarët e vrarë në Kumanovë

Trupat e pajetë sajnë sjellë në orën 04 të mëngjesit, ndërsa për t’i pritur ata kishin dalë në kufij më shumë se 100 qytetarë me flamuj kombëtarë

Trembëdhjetë ditë pas konfliktit të armatosur në Kumanovë, janë kthyer sot në mëngjes trupat e pajetë të nëntë kosovarëve që u vranë gjatë përleshjes me forcat maqedonase me 9 maj në lagjen “Kodra e Trimave”. Trupat e pajetë sajnë sjellë në orën 04 të mëngjesit, ndërsa për t’i pritur ata kishin dalë në kufij më shumë se 100 qytetarë me flamuj kombëtarë.

Transportimi i trupave drejt Kosovës ka ardhur pasi autoritetet maqedonase ua kanë bërë autopsinë nëntë kosovarëve të vrarë në luftime.

Trupat e të vdekurve janë: Xhafer (Hysen) Zymeraj nga Prizreni, i lindur në vitin 1972,

Beg (Miftar) Rizaj nga Prekolluku i Deqanit, i lindur në vitin 1977, Mirsad (Osman) Ndreca nga Gjakova, lindur në vitin 1979, Valon (Selim) Kabashi nga Opterusha e Rahovecit, i lindur në vitin 1985, Turgaj (Mehmet) Gashi, i lindur në Prishtinë në vitin 1978, Samid (Bajram) Kastrioti, i lindur në Zojz të Prizrenit në vitin 1975, Hysen (Latif) Rushiti nga Vushtrria, i lindur në vitin 1965, Fatlum (Kadri) Vishesella, i lindur në Rufc të Ri të Lipjanit në vitin 1983 dhe Arben (Qerim) Rexhaj nga Ferizaj i lindur në vitin 1971.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ali Rexha ka kërkuar që kosovarëve të vraraë me 9 maj, t;u bëhet edhe autopsia nga mjekësia ligjore e Kosovës. “Arsim Gërxhaliu dhe shërbimi i tij më tregoi se familjarët kanë kërkuar të bëhet autopsia dhe ajo do të bëhet”, tha prokurori Rexha.

Prokurori Rexha i cili është duke hetuar rastin në Kumanovë të Maqedonisë tha se është duke pritur kërkesën e familjarëve të viktimave për të lëshuar urdhër për autopsi.

“Nëse ka nevojë edhe do ta lëshojmë urdhrin për autopsi, sepse e meritojnë pasi që e kanë kërkuar familjarët dhe ajo do të bëhet në bazë të kërkesës së familjarëve. Kur të vijë kërkesa te unë do ta shqyrtoj dhe autopsia do të bëhet”, ka thënë Rexha për mediet lokale.

Ndryshe, në përleshjen e armatosur ndërmjet forcave maqedonase dhe një grupi të armatosur të shqiptarëve janë vrarë 20 persona, prej tyre 8 policë. Ndërsa janë plagosur me shumë se 30 të tjerë, ndërsa janë demoluar plotësisht rreth 66 shtëpi të shqiptarëve në lagjen Kodra e Trimave.