Kultura

“Kthimi” pritet ngrohtë por kthehet pa çmim

Filmi kosovar në konkurrencë zyrtare “Kthimi” ndonëse i pritur shumë mirë në festival, kësaj here mbeti duarthatë

Ka ulur mbrëmë perdet festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër “Winterthurer Kurzfilmtage”. Gjatë gjithë kësaj kohe, Winterthuri, qyteti në verilindje të Zvicrës, ka frymuar në shenjë të këtij festivali, i cili është më i madhi i këtij lloji në Zvicër.

Në solemnitetin përmbyllës të mbajtur mbrëmjen e të dielës në teatrin e qytetit, para një publiku të madh në numër, janë ndarë 6 çmimet e festivalit. Çmimi kryesor ka shkuar në duart e regjisorit nga Paraguai, Federico Adorno për filmin “Isla Ata”.

© albinfo.ch

Filmi nga Kosova që ishte në konkurrencë zyrtare “Kthimi” i regjisores Blerta Zeqiri, ndonëse i pritur shumë mirë në festival, kësaj here mbeti duarthatë.

Ndër shtyllat kryesore të festivalit këtë vit ka qenë programi “Kino Balkan Aktuell”, ku përgjatë 6 ditëve, është dhënë një pasqyrë mjaft e gjerë e kinematografisë së vendeve të Ballkanit, kryesisht të vendeve që kanë dalë nga ish Jugosllavia. Në këtë kuadër janë shfaqur edhe restropektiva të regjisorëve nga këto hapësira si Zelimir Zilnik e Karpo Godina.

Filmat nga Serbia, Bosnja e Kroacia sigurisht që kanë dominuar, ndërsa Kosova është prezantuar me katër filma të shkurtër, prodhime të “Dokufestit”, të Prizrenit. Këta filma janë shfaqur jashtë konkurrencës zyrtare. Ndërsa prezantimi i tyre, i shoqëruar nga një debat është mbajtur të mërkurën që shkoi. Filmat nga Kosova, të shfaqur në këtë program ishin: Këpucët e humbura (Shota Bukoshi); Një ditë me fat (Dija Krasniqi, Husamedin Luma); I kujt është flamuri? (Baris Karamuço) dhe Prishtina – Beogradi (Srdjan Slavkovic).

Duke drejtuar debatin me disa nga autorët e filmave të shfaqur, Eroll Bilibani, drejtor i Dokufestit, ka sjellë në festivalin zviceran aktualitetin e kinematografisë kosovare, gjegjësisht vështirësitë me të cilat përballet ajo. Pjesëmarrësit në debat, regjisoret Shota Bukoshi e Dija Krasniqi dhe regjisori Baris Karamuço, kanë sjellë para publikut të Zvicrës problemet specifike, kosovare, me të cilat ballafaqohen filmbërësit gjatë realizimit të filmave.

Në vazhdim Bilibani ka bërë të ditur për albinfo.ch se filmat e prezantuar këtu janë realizuar me mbështetjen e një programi të Bashkimit Evropian.

“Dokufest, përveç vetë organizimit të festivalit, ka edhe një komponent për të cilën njerëzit nuk dinë aq shumë. Ai është prodhimi i filmit të shkurtër që e bëjmë në kuadër të organizatës sonë. Këtë vit BE përmes një projekti të tij ka mbështetur gjashtë filma, të cilët janë zgjedhur me një konkurs për regjisorë të rinj. Këta të rinj kanë punuar nën tutorinë e ekspertëve të filmit, të cilët i kanë mësuar ata se si shkon procesi i prodhimit të filmit nga fillimi e deri në montazh dhe postproduktion. Gjatë këtij procesi ne e kemi ndërtuar një platformë produksioni për të rinjtë, ku atyre do tu sigurohet punimi pa pagesë i filmave”, shpjegon Bilibani.

Ndërsa për ardhjen e ekipit në këtë festival ai thotë se është rezultat i një kombinimi. “Kemi pasur ftesën e mikpritësve, ndërsa regjisori i ri Baris Karamuço ka qenë pjesë e projektit “Balkan express”. Ai bashkë me dy regjisorë tjerë ka ardhur këtu me kombibusin që e ka siguruar festivali dhe rrugës, nga Kosova, nëpër Serbi e Kroaci kanë xhiruar bashkë filmin dokumentar “Balkan expres”, që është shfaqur edhe në program. Ne të tjerët kemi ardhur si pjesë e një këmbimi: ne i ftojmë organizatorët e festivaleve si ky i Winterthurit në Dokufest dhe ata na e kthejnë të nderin me ftesën që na e bëjnë këtu”, ka thënë Bilibani.

Ndërsa shfaqja e filmit të Blerta Zeqirit “Kthimi” ka qenë një rrëfim tjetër. Ai është shfaqur në konkurrencë zyrtare dhe ka konkurruar për njërin nga çmimet e festivalit. “Kthimit” i është rezervuar një pritje shumë e ngrohtë, nisur nga tema që rrah (pasojat e luftës në Kosovë) realizimi i fuqishëm artistik dhe sidomos nga bagazhi që ka pas vetes. Ky film, siç dihet, ka fituar kohë më parë çmimin e parë në festivalin më prestigjioz në botë të filmit të shkurtër, “Sundance festival” të SHBA-së.

© albinfo.ch: Blerim Gjoci në podium

Pas shfaqjes së filmit, Blerim Gjoci, producent i tij nga “Prishtina Film” ka folur në një debat të organizuar në sallën e filmit. Gjoci ka shfrytëzuar nga rasti të sensibilizojë publikun e pranishëm me gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet Kosova sa i përket lirisë së lëvizjes.

“Shteti im, Kosova, i njohur tashmë nga 94 shtete të botës, vazhdon të jetë vendi më i izoluar në Evropë dhe më gjerë. Ky izolim godet, veç të tjerëve, edhe artistët, krijuesit e filmit, të cilët kanë vështirësi të mëdha për të dalë jashtë vendit, ku do të prezantinin punën e tyre dhe do të këmbenin përvojat me kolegët e profesionit”.

Ai ka folur edhe për vështirësitë në rrugën e realizimit të filmit në Kosovë. “Fitimin që e marrim me punimin e reklamave, ne e orientojmë për realizimin e filmave artistikë. Kjo është gjendja”, ka thënë producenti Gjoci.

Ndërkaq, në bisedë me albinfo.ch Blerim Gjoci ka shpjeguar rrugën e ardhjes së filmit “Kthimi” në festivalin zviceran dhe pritjen që i është bërë.

“Filmat e shkurtër kanë zakonisht një rrugë jetësore jo më të gjatë se 1 vjeçare. Dhe këtë kohë duhet shfrytëzuar për pjesëmarrje në sa më shumë festivale. Filmi “Kthimi” tashmë ka mbushur një vjet dhe ai, nisur nga sukseset që ka arritur, po vazhdon të ftohet në festivale të ndryshme. Në këtë vazhdë është edhe pjesëmarrja në festivalin e filmit të shkurtër në Winterthur”, thotë Gjoci. Ai ka thënë se festivali në Winterthur ka një ngrohtësi të veçantë, pasi që në çdo kënd vërehet se qyteti jeton me festivalin. “Pa përmendur këtu edhe përpikërinë dhe organizimin perfekt që dinë ta bëjnë vetëm zviceranët”.

Për faktin se “Kthimi” po kthehet në shtëpi pa ndonjë çmim të fituar, Blerim Gjoci thotë: “Është zgjedhja e jurisë, ajo ka preferencat e veta. Nëse nuk fiton çmim në një festival, nuk do të thotë se filmi nuk është i mirë. Në rastin tonë, ai tashmë është dëshmuar si film shumë i suksesshëm. Pastaj, çdo festival ka kërkesat e veta specifike, orientimet në lidhje me profilin e filmave që i preferon etj.”, shprehet Gjoci.

Galeri foto