Lajme

Kujdes: Mërgimtarët, cak i grabitësve në autostradën serbe

Makinat me targa të huaja janë cak i një grupi të organizuar kriminel serb, në mesin e të cilit  dyshohet se ka edhe shqiptarë e turq. Grupi po lëviz nëpër autostradën në Serbi, që nga hyrja nga Kroacia dhe po grabit makinat me targa të huaja.

Denoncimi është bërë nga mërgimtarë, të cilët këtyre ditëve kanë ardhur në vendlindje përmes këtij destinacioni.

Një nga mërgimtarët ka shkruar në rrjetin social facebook, duke rrëfyer se grupi lëviz me 3 – 4 vetura, me ç`rast njëra është identifikuar Mercedes Benz S Klas me targa të Berlinit të Gjermanisë.

“Ata fillimisht afrohen dhe përmes një përshëndetjeje islame kërkojnë ndihmë se gjoja me familjen e tyre kanë mbetur në rrugë. Ata ofrojnë gjësende për të shitur dhe varësisht nga rrethanat edhe përmes kërcënimit më pas nxjerrin paratë nga mërgimtarët”, rrëfeu për INA, një nga mërgimtarët I.Rexhepi, i cili është njohur me këtë rast.

Ai ka kërkuar që të alarmohet kjo dukuri dhe se përfaqësuesit shqiptarë në Parlamentin e Serbisë të denoncojnë këtë gjë edhe në institucionet serbe.