Sport

Kuka, edhe një kritikë shtetit të Kosovës

Driton Kuka, trajneri kosovar i xhudos, ka shprehur edhe një ankesë ndaj shtetit të Kosovës

Pak ditë pasi u ankua se kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi nuk ka marrë pagë qe shumë muaj, Kuka në Facebook është ankuar për mungesën e sigurimeve shëndetësore në rast të lëndimit. Sipas tij Kosova është vendi i vetëm që nuk ka sigurim shëndetësor për sportistët.

“Përkujdesja për sportist kulminant zakonisht bie në supet e familjeve e ndoshta ndonjëherë edhe federata apo klubet ndihmojnë. Kampionia olimpike ka pësuar lëndim në Botëror. Ka lënduar ligamentin dhe qe disa ditë është duke bë incizime e ekzaminime, por si gjithmonë pa përkujdesje shëndetësore në nivel shteti, po e lus Zotin që të mos ketë nevojë për operim se duhet paguar nga xhepi i saj apo i imi!!!”, ka shkruar ai në Facebook.

Kuka ka thënë se shteti nuk ka rezonancë magnetike dhe operimet duhet të bëhen me mjete private.

“Po lypen rezultate prej Sportistëve e as Sigurim Shëndetësor s’kanë”, ka shkruar më tej ai.