Kultura

Kulisat antike nuk e bëjnë poezinë

Amfiteatri i Avenches, ofronte ambient të mrekullueshëm për poezinë por shumë vargje të lexuara aty ishin të një niveli jo përfaqësues

Përjetimi i leximit të poezisë në një amfiteatër antik është patjetër një ndjenjë mbresëlënëse, e tillë që detyrimisht shoqërohet nga njëfarë solemniteti. E pra, amfiteatri romak në Avenche, ku dymijë vjet më parë mund të jenë shfaqur spektakle të përgjakshme me gladiatorë dhe luaj, të dielën që shkoi dukej se po bëhej “arenë” e poezisë dhe muzikës shqiptare. Një përjetim unik. Këtë përjetim, kishte arritur t`ia ofronte publikut shqiptar shoqata e re e krijuesve shqiptarë, e kryesuar nga Besnik Camaj.

Me gjithë faktin se artistët shqiptarë u detyruan të performonin disi në margjina të arenës, (skena ishte e zënë për festivalin e operës që mbahej këto ditë), shoqata meriton përgëzimin për guximin që ka marrë për të siguruar hapësirën e amfiteatrit për aktivitetin e saj… Po kështu, edhe synimi fisnik i shoqatës, për të pasuruar jetën kulturore të mërgatës sonë dhe fakti që ajo solli në manifestim edhe kryetarin e  bashkisë së qytetit Avenches, Daniel Throlliet, meritojnë respekt.

Por, e gjithë arsyeja për përgëzime përfundon këtu. E shumta e asaj që në këtë arenë u lexua nga një duzinë autorësh, ishte, mjerisht, e një niveli jo përfaqësues për poezinë tonë. Kulisat antike të amfiteatrit romak, megjithatë, nuk mund ta fisnikëronin dot materien që aty u prezantua si poezi. Shumë nga vargjet që u lexuan në mbrëmjen e të dielës, nuk do të mund të kalonin pragun e një përzgjedhjeje sado modeste poezish, qoftë edhe në nivel të krijimeve të shqiptarëve të Zvicrës.

Madje, me tri-katër përjashtime, vargjet që dëgjuam në ambientin e amfiteatrit antik,  mbeten në nivelin që poezia shqipe e ka njohur pas luftës (së dytë botërore!). Disa nga to të kujtonin vjershat e librave të dikurshëm të leximit e disa të tjera – manifestet ideologjike apo didaktike të një kohe të shkuar.

© albinfo.ch: Shkolla e Vallëzimit “Shota”

© albinfo.ch: Mimoza Selimi

Edhe Shkolla e Vallëzimit “Shota”, pjesëmarrëse në program, dukej e hendikepuar në hapësirën mbrapa mureve, që i ishte rezervuar për vallet e saj. Nga një distancë prej rreth 100 metrash, ku ishte i përqendruar kryesisht publiku, në tribunat e amfiteatrit, zor se shiheshin dhe përjetoheshin vallet, të cilat, madje, vështirë të thuhet nëse e kishin vendin këtu… Një pikë pak a shumë të ndritshme në këtë program përbënin këngët arbëreshe dhe të vjetra qytetare, të kënduara nga Mimoza Selimi, e shoqëruar me fizarmonikë nga  Gjon Guralumi.Me një nivel modest krijimtarie që na u prezantua, me konceptin e përzier në mënyrë jofunksionale (poezi – folklor), me nivelin e dobët të leximit dhe me problemet teknike, mbrëmja si tërësi mbetet shumë larg pretendimeve të organizatorëve dhe pritjeve të publikut.

Mbetet të shpresohet se nga çalimet e përmendura, mund të nxirret mësim për herët e ardhshme…

Gecaj: “Faturën e dështimit, e paguajmë të gjithë”

Për poetin Sabit Gecaj, i pranishëm në këtë mbrëmje, aktiviteti i të dielës mbrëma në Avenches mund të konsiderohet i dështuar. Sipas tij, madje “diçka e tillë nuk bën të përsëritet asnjëherë”.

“Pretendimi për të ofruar diçka të mirëfilltë nga arti e kultura dhe mundësitë për ta bërë këtë, atë ditë nuk ishin bashkë aty”, thotë Gecaj dhe shton: “nëse flasim për domosdoshmërinë e një organizimi të mirëfilltë kulturor në Zvicër, kujtoj se atë duhet vlerësuar si nismë, por gjithsesi me lutjen dhe kërkesën që diçka të tillë, të mos ketë më asnjëherë! Përveç njerëzve të duhur, kujtoj se ka munguar edhe koha e duhur për të organizuar një manifestim të atij niveli, që do të mund të prekte hirësinë plot pushtet të atij teatri gjigant antik të qytetit historik të Avenches” vë re Sabit Gecaj.

“Ka shumë parregullsi dhe këtë që po e them, nuk e bëj për të nënvlerësuar miqtë e mi krijues që i respektoj pa përjashtim, e të cilët në ketë rast, bashkë me organizatorin i pashë si viktima të njëri-tjetrit, dhe fajtorë në atë mes kishte shumë. Me këtë dua të them se faturën e këtij mossuksesi e ndajmë të gjithë bashkë për mospunën e përbashkët drejt gjetjes së formave të duhura organizative. Por, kuptohet, faji kryesor është i organizatorit, i cili i ka dhënë vetes detyrë për t`u marrë me një çështje të tillë, madhore dhe të ndjeshme, siç është prezantimi i një pjese të letërsisë që krijohet nga autorë shqiptarë në Zvicër!”, përfundon Sabit Gecaj.

Camaj: Prisnim më shumë publik, edhe për shkak të muzikës

Sipas kryetarit të shoqatës së krijuesve shqiptarë në Zvicër, Besnik Camaj, mbrëmja e leximit artistik ishte një aktivitet i suksesshëm. Ai thotë se amfiteatri ishte rezervuar falë njohjes që kishte ai me krerët e komunës Avenches. “Ka qenë mjaft e vështirë që të bëjmë rezervimin, por meqë unë kam jetuar gjatë në këtë qytet, autoritetet kanë pasur mirëkuptim. Synimi ynë ka qenë që ta mbajmë një manifestim me përmasa të mëdha, që të përfitojnë shqiptarët si komunitet. Kemi rezervuar këtë amfiteatër që ka 6000 vende por fatkeqësisht kemi pasur pak publik, rreth 140 veta”, thotë Camaj.

I vetëdijshëm se vetëm me poezi nuk mbushet dot një amfiteatër i tillë, Camaj ka pritur që së paku për shkak të muzikës të kishte më shumë publik. “Kemi pritur më shumë publik, që do të vinte për vallet e Shotës ose këngët e Mimoza Selimit dhe Gjon Guralumit…”, thotë Besnik Camaj. Ai po kështu thekson se manifestimi është organizuar pa sponsorë, vetëm duke u mbështetur në forcat vetjake. Sipas tij, ky ishte vetëm hapi i parë i shoqatës që drejton, i cili do të pasohej me organizime edhe më të suksesshme.

Pjesëmarrësit

Në këtë mbrëmje, me vargje dhe prozë janë prezantuar: Shefqet Dibrani, Bardhec dhe Roze Berisha, Arsim Ferizi, Abdullah Ahmedi, Besnik Camaj, Muharrem Blakaj, Driton Kajtazi, Shemsi Makolli, Fehmi Berisha, Bujar Salihu, Gani Bytyçi, Saime Isufi, Mahir Mustafa, Brahim Avdyli dhe Rehana Doko. Me valle të ndryshme shqiptare është paraqitur Shkolla e Vallëzimit “Shota” dhe me një koreografi të përgatitur e të interpretuar nga valltarja Fatmire Kajtazi e ansamblit “Vatra”. Moderimin e ka bërë Saranda Gërvalla.

© albinfo.ch: Shkolla e Vallëzimit “Shota”

© albinfo.ch: Rehana Doko