E-Diaspora

Kundër paragjykimeve ndaj shqiptarëve në Zvicër

Më 12 maj 2017,   “20 Minuten” publikoi një artikull lidhur me preferencat e zviceranëve për kolegët me të cilët ata do të dëshironin të ndajnë vendin e punës. Artikulli në fjalë i referohet një sondazhi që kishte realizuar “der Bund”  duke pyetur 1700 zviceranë nga e gjithë Zvicra, me pyetjen: Më kë dëshironi të ndani vendin e punës?

Sipas këtij sondazhi, dalin në pah problemet apo rezervat që kanë punëmarrësit zviceranë me kolegët të cilët vijnë nga vendet jo evropiane.

Mbi të gjitha, është shqetësuese ajo çka evidentohet në këtë artikull ku jepet shifra prej 70% e zviceranëve, të cilët pretendohet se refuzojnë shqiptarët si kolegë pune.

Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Bernë reagojnë dhe thonë se ky konkluzion sipas tyre  nuk përfaqëson realitetin, porse evidenton një paragjykim dhe stigmatizim të një prej komuniteteve më të mëdha në Zvicër, atë të shqiptarëve, shkruan albinfo.ch.

“Një pohim i tillë është i papranueshëm për komunitetin shqiptar në Zvicër. Ai bie ndesh edhe me vetë parimet e shoqërisë zvicerane, ku mbizotëron drejtësia, toleranca dhe barazia.”, thuhet në reagim, shkruan albinfo.ch.

“Duke qenë se këto afirmime publike, mediale që faktikisht shprehin qëndrime subjektive, ndikojnë negativisht në imazhin e shqiptarëve, duke cenuar drejtpërdrejt interesat dhe dinjitetin tuaj, mendojmë se ndaj tyre  duhet  reaguar duke ofruar shembuj të kundërt që flasin me gjuhë faktesh, të cilat tashmë janë një pjesë e pakontestueshme e realitetit zviceran.”, thuhet më tutje në reagimin e Ambasadave në Bernë duke potencuar se këtë mundet dhe duhet ta bëjnë më së miri vetë shoqatat e shumta të shqiptarëve në Zvicër, dhe çdo shqiptar, duke u koordinuar dhe duke bashkërenditur veprimet e tyre rreth një qëllimi të përbashkët që do të ishte mbrojtja e imazhit dhe dinjitetit të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër.

Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Bernë shprehin shqetësimin e thellë për lajme të tilla, por njëkohësisht thonë se janë të bindur dhe të sigurt që diaspora shqiptare në Zvicër ka potencialin e nevojshëm për të reaguar ndaj këtij realiteti të shtrembëruar.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/kunder-paragjykimeve-ndaj-shqiptareve-ne-zvicer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.