Jeta në Zvicër

Kundërshtohet kërkesa për tërheqjen e Swisscoy-t nga Kosova

Komisioni për politikë të sigurisë në këtë mënyrë ka hedhur poshtë një kërkesë të ardhur nga parlamenti për përfundimin e mandatit të Swisscoy-t,

Swisscoy, siç quhet misioni ushtarak paqeruajtës i Zvicrës që vepron në Kosovë në kuadrin e KFOR-it, duhet të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë. Këtë përgjigje e ka dhënë me shumicë dërmuese të votave (9 me 1) Komisioni për Politika të Sigurisë i Dhomës së Kantoneve të Parlamentit të Zvicrës, thuhet në një njoftim nga parlamenti.

Komisioni në këtë mënyrë ka hedhur poshtë një kërkesë të ardhur nga parlamenti për përfundimin e mandatit të Swisscoy-t, transmeton albinfo.ch. Kërkesa konsistonte në përmbylljen e misionit të ushtrisë zvicerane deri në fund të vitit 2018.

Duke dhënë përgjigjen mohuese, komisioni njëkohësisht i ka rekomanduar dhomës përkatëse që të votojë në favor të qëndrimit të Këshillit Federal (qeverisë) për vazhdimin e mandatit.

Nga ana tjetër, komisioni i përmendur pajtohet me qëndrimin e qeverisë për reduktimin gradual të trupave të Swisscoy-t të stacionuara në Kosovë, transmeton albinfo.ch. Aktualisht në mision mund të jenë maksimalisht 235 trupa ndërsa nga prilli i vitit 2018 do të fillojë zvogëlimi i tyre gradual.