Kosova

Kundërshtohet vendimi për pezullimin e privatizimit të tokave bujqësore

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe juridike konsiderojnë se vendimi i marrë nga ekzekutivi kosovar në mbledhjen e fundit për pezullimin e procesit të privatizimit të tokave shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për së paku një vit është ndërhyrje në kompetencat e këtij institucioni të pavarur, por edhe në ato të Kuvendit të Kosovës.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë se, edhe pse Qeveria është kompetente që të marrë vendime, ato duhet të jenë të menduara mirë dhe me bazë ligjore.

“Vendimi për ndaljen e privatizimit të tokave shoqërore mund të jetë i drejtë, por nuk bazohet në legjislacionin aktual. Tokat shoqërore janë nën menaxhimin e AKP-së dhe kjo agjenci është nën menaxhim të Kuvendit, dhe se vetëm Kuvendi mund të marrë vendime për fushëveprimtarinë e AKP-së”, ka thënë Rukiqi për “Kohën Ditore”, përcjell albinfo.ch.