Shkurt.ch

Kur Zvicra ashpërson kriteret për pasaportën, një kanton i zbut ato!

Kantoni St. Gallen, duke qenë njëri ndër kantonet që kanë pasur ligjin më të ashpër për natyralizimin, nuk do të ashpërsojë por do të zbusë, fjala vjen, afatet që kanë vlejtur deri tash

Ligji mbi të drejtat civile, i cili në nivel nacional ka hyrë në fuqi nga 1 janari 2018, në Kantonin e St. Gallenit tashmë ka qenë duke vepruar. Duke qenë se dihej fakti se nga janari 2018 do të vlenin kritere të ashpërsuara për natyralizimin e të huajve, gjatë dy viteve të kaluara ka pasur një interesim të shtuar për të fituar pasaportën zvicerane, shkruan tagblatt.ch.

Me ligjin e ri në nivel vendi nevojiten 10 vjet qëndrimi në Zvicër si kusht për të kërkuar pasaportën krahas pasjes së lejes së qëndrimit të përhershëm në Zvicër, (Vizës C), transmeton albinfo.ch.

Por, viza C si kusht për pasaportën zvicerane ka qenë në fuqi në tri kantone të Zvicrës edhe para se të hynte në fuqi ligji federal në fjalë. Kantoni St. Gallen, i njohur si njëri ndër kantonet me praktikën më të ashpër të natyralizimit, ka qenë në mesin e këtyre tre kantoneve.

Mirëpo ligji i ri, i ashpërsuar prodhon efekte tjera në kriteret që kanë kantonet sa i përket natyralizimit, transmeton albinfo.ch. Në këtë kuptim, Kantoni St. Gallen, duke qenë njëri ndër kantonet që kanë pasur ligjin më të ashpër për natyralizimin, nuk do të ashpërsojë por do të zbusë, fjala vjen, afatet që kanë vlejtur deri tash.

Kështu, ata të huaj që në këtë kanton deri tash kanë dashur të marrin pasaportën zvicerane, duhej të kishin Vizën C dhe së paku 8 vjet qëndrim në të njëjtin kanton si dhe katër vite në komunën e njëjtë.

Me ligjin e ri, në nivel federal këto afate janë shkurtuar në më së paku 2 e më së shumti 5 vjet, përcjell albinfo.ch. Kantoni i St.Gallenit me këtë rast ka shfrytëzuar hapësirën e lejuar të veprimit dhe ka zgjedhur afatin më të gjatë të mundshëm, pra 5 vjet qëndrimi ose banimi, si në komunë ashtu dhe në kanton.