Kosova

Kurti e quan Haradinajn lider që s’e mban fjalën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur Ramush Haradinajn lider që nuk e mban fjalën.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur  kryeministrin Ramush Haradinajn argat të presidenti Thaçit dhe njëri që sipas tij s’e mban fjalën e popullit.

Këtë atribut Kurti ja ka bërë në ditën kur janë bërë katër muaj nga koha kur është ratifikuar marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

“Saktësisht katër muaj më parë në Kuvendin e Kosovës u ratifikua marrëveshja e Vjenës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e cila ia mori vendit tonë 8.200 hektarë. Asokohe ne këmbëngulëm që kjo marrëveshje të korrigjohej para se të votohej, duke marrë parasysh dokumentacionin dhe hartat, faktet dhe opinionet shkencore të gjeografëve, historianëve dhe ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, peticionin e mbi 205 mijë qytetarëve, demonstratat më të mëdha në Kosovën e pasluftës… Ky dikur ishte edhe qëndrimi i Haradinajt dhe i Limajt, para se të hynin në qeveri. Por ata vendosën ta votojnë pa e korrigjuar marrëveshjen, sepse thanë se votimi do ta sillte liberalizimin e vizave. Gjithashtu e garantuan popullin e Kosovës se do të bëhet korrigjimi i vijës kufitare me komision të përbashkët, pas ratifikimit”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij qeveria Haradinaj duhet të jap dorëheqje.

“Qeveria Haradinaj duhet të japë dorëheqje: ajo e votoi dhurimin e territorit të vendit duke mashtruar publikun, edhe për korrigjimin, edhe për liberalizimin”, ka shkruar Kurti.