Lajme

Kurti, mërgimtarëve: “Të ushtroni më shumë ndikim politik te familjet në Kosovë”

"Përderisa ju i mbani familjet me remitenca, (dërgesa parash) më habit fakti se kaq pak ndikim keni në orientimin politik të tyre në Kosovë"

 

“Unë nuk jam në Lëvizjen Vetëvendosje por ju mbështes në qëndrimet dhe veprimet tuaja”! Kjo ishte poenta që dilte nga fjalët e shumicës së bashkatdhetarëve që kanë marrë pjesë në takimin që deputeti i VV-së, Albin Kurti mbajti të dielën e ta më Bernë. Deklarimet e tilla i kanë shërbyer Kurtit për të nxjerrë një përfundim interesant: “Kudo ku shkojmë në aktivitetet tona, na thonë se `jemi me ju në 99 për qind të çështjeve por nuk jemi anëtarë të VV-së`. Kjo na bën të mendojmë se ata kanë rezervë, kanë frikë dhe derisa populli të mos e flakë frikën, është vështirë të pritet një ndryshim i shpejtë i gjërave në drejtim pozitiv”.

I shoqëruar nga Sami Kurteshi dhe Hysen Durmishi, Kurti ka mbajtur gjatë fundjavës që kaloi edhe dy takime tjera me bashkatdhetarët në Zvicër, përkatësisht në Lozanë dhe në Bulle. Albinfo.ch ka qenë e pranishme në tubimin e mbajtur në Bernë, ku delegacionit i ishte bashkuar edhe veprimtari i njohur Avni Dehari.

Në debatin e gjallë me pjesëmarrësit, Kurti ka zhvilluar tezat e tij tashmë të njohura për shtetin e kapur nga regjimi që po e mban prej më shumë se 17 vitesh pushtetin e tij kriminal në Kosovë. Ai, i është përgjigjur edhe pyetjes së shtruar nga disa pjesëmarrës në debat lidhur me simbolet kosovare, gjegjësisht injorimin që subjekti i tij u bën atyre. “Ne si lëvizje kemi në kryesi dhe në strukturat tona shumë shqiptarë që nuk janë nga Kosova: tre janë nga Shqipëria, pastaj nga Maqedonia, Kosova Lindore etj. Dhe të gjithë këta mund t`i përfshijmë vetëm në flamurin kombëtar”, ka thënë Kurti.

  • “Në Vetëvendosje nuk ka uniformitet por ka debat dhe konkurrencë të ideve”

Prijësi ideologjik i Lëvizjes Vetëvendosje po ashtu është ballafaquar edhe me kritikat e disa prej pjesëmarrësve për “mungesën e filtrimit” të atyre që ia mësyjnë këtij subjekti, pasi që “janë djegur” ose konsumuar në subjekte të tjera, shkruan albinfo.ch. Sipas tyre, ky rekrutim nuk i bën mirë shëndetit të VV-së dhe e dëmton besimin e popullatës në këtë lëvizje.

Kurti ka theksuar se Vetëvendosje nuk mund të bëjë analizën e personalitetit të atyre që na bashkohen. “Ne na intereson që ata me qëndrimet politike të përfaqësojnë Vetëvendosjen. Pastaj, subjekti ynë nuk është uniform. Aty ka debat, rrahje mendimesh dhe kjo nënkupton sigurisht ekzistimin e ideve të ndryshme, me të cilat shkohet përpara”.

Albin Kurti është pyetur edhe për “zajednicën” dhe për demarkacionin, dy çështjet më të nxehta aktualisht në politikën kosovare. Ai edhe një herë është zotuar se këto nuk do të kalojnë në parlament, duke mos përjashtuar edhe mundësinë që ndonjëri nga deputetët të “blihet” nga regjimi dhe të votojë në favor të pozitës, raporton albinfo.ch. Ndërsa për ta bërë më konkret rrezikun që paraqet “zajednica” për Kosovën, ai ka thënë se edhe “Republika Srpska” që po funksionon si shtet serb brenda Bosnjë e Hercegovinës ka filluar si asociacion komunash. E vazhdimi dihet…”.

Albin Kurti u është drejtuar mërgimtarëve me pyetjen sugjestive: “Përderisa ju i mbani familjet me remitenca, (dërgesa parash) më habit fakti se kaq pak ndikim keni në orientimin politik të tyre në Kosovë?”. Këtë konstatim ai e ka nxjerrë nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë. “Edhe pse nga diaspora ka pasur tepër pak votues, megjithatë 51 për qind të tyre kanë votuar për Vetëvendosjen”, ka theksuar ai, duke lënë të kuptohet se VV është shumë më e përkrahur në diasporë se në Kosovë. Kjo ndodh sipas tij për faktin se diaspora nuk i frikësohet reperkusioneve të regjimit, siç u frikësohen ata që jetojnë në Kosovë.

Kurteshi: “Shtypja vazhdon si në kohë të okupimit, vetëm se ajo sot ushtrohet nga shqiptarët”

Ndërsa Sami Kurteshi, i njohur si ish avokat i Popullit dhe aktivist i shquar politik me përvojë të gjatë nga Zvicra, ka përshkruar me nota pesimiste realitetin aktual në Kosovë. “18 vite pas luftës dhe çlirimit në fakt nuk ka ndryshuar asgjë. Tash janë të ndryshëm vetëm sundimtarët. Këta që i kemi tash, po na shtypin njësoj sikur ata të kohës së Milosheviçit vetëm se këtë e bëjnë në gjuhën shqipe dhe kjo dhemb”, ka thënë veç tjerash Kurteshi.

Ndërsa Avni Dehari, i pyetur për rrjedhat e hetimeve rreth vdekjes së të birit, aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, ka thënë se familja kundërshton ekspertizën e komisionit përkatës, sipas të cilës Astriti ka kryer vetëvrasje.

Në tubim janë debatuar edhe çështje tjera politike që lidhen me aktualitetin në Kosovë, Shqipëri dhe trojet tjera shqiptare.