Kosova

Kurti: Thaçi po e merr primatin në dialog krye më vete

Në një konferencë për gazetarë, Kryetari i LVV-së, ka folur për udhëheqjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nga ana e Presidentit Hashim Thaçi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se presidenti Thaçi nuk është kredibil për ta udhëhequr dialogun me Serbinë.

Sipas tij, Thaçi po e merr primatin në dialog në krye më vete, kjo pasi që, siç tha Kurti, “ai është në listën e të akuzuarve të Gjykatës Speciale dhe po do t`i ikë kësaj gjykate”.

“Presidenti Thaçi nuk është as kredibil, as kompetent, është gënjeshtar dhe i paditur. Ujditë e fshehta të tij nuk vlejnë në Kosovë. Kush do të udhëheqë dialogun është e rëndësishme, por ajo vjen në fund, jo në fillim. Nuk mund të nxitohemi në dialog të ri pa bilancin e 6 vjetëve dialog. Ai është president për vete dhe jo i Kosovës me këtë sjellje që po e bën”, ka thënë Kurti.

Sa i përket idesë së kreut të shtetit lidhur me fillimin e demarkimit të kufirit me Serbinë, Kurti tha se shënimi i vijës kufitare duhet të ndodhë, por këtë nuk duhet ta bëjë presidenti.

“Përfundimi i dialogut me Serbinë do t`i ketë tri qëllime të tjera: njohja e Kosovës, dëmshpërblimi i dëmeve të luftës nga Serbia dhe kërkim-falja për krimet e luftës”, theksoi ai.