Kosova

Kurti tregon pikat e dala nga përfundimet e raportit të autopsisë 

Sipas tyre, Dehari nuk ka mundur ta ngufatë veten me shishe të plastikës, sepse nuk do të mund ta mbante shishen në fyt deri në asfiksi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë publike nëntë pika të dala nga përfundimet e raportit të autopsisë së doktorëve Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, lidhur me vdekjen e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Sipas tyre, Dehari nuk ka mundur ta ngufatë veten me shishe të plastikës, sepse nuk do të mund ta mbante shishen në fyt deri në asfiksi.  Kurti përmes një postimi në Facebook ka cekur në veçanti secilën nga këto nëntë observime, për të cilat ka shkruar edhe detaje. Ka thënë se sipas kësaj deklarate, një prej shokëve të qelisë së Astrit Deharit, Naser Makolli, ishte personi i parë që e gjeti Astritin në qeli të shtrirë në tokë.

Kurti shkruan se sipas deklaratës së parë të Naser Makollit, ai ka thënë se u përpoq t’i jepte Astritit ndihmën e parë, ndërsa në riintervistim ai e ndryshon deklaratën, duke folur edhe për frikën që kishte nëse e merr policia në pyetje.