Maqedonia

Kuvendi i Maqedonisë sërish e ratifikoi Marrëveshjen me Greqinë

Ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, mes tjerash parasheh ndryshimin e emrit kushtetues, nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut

Me 69 vota për dhe 1 të abstenim, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot sërish e ratifikoi Marrëveshjen me Greqinë, njofton Portalb.mk.

Javën e kaluar, në Kuvendin e Maqedonisë, është dorëzuar vendimi i presidentit të shtetit, Gjorge Ivnaov, me të cilën ai informoi se nuk do ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, përcjell albinfo.ch.

Ndryshe, ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, mes tjerash parasheh ndryshimin e emrit kushtetues, nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Sipas kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, në rast të vetos së presidentit të shtetit, ligji përsëri shkon në procedurë kuvendore, por atëherë do të duhet të votohet me shumicë absolute nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjegjësisht do të duhet që të marrë së paku 61 vota. Ligji në këtë rast përsëri dërgohet te presidenti, i cili sipas Kushtetutës, e ka obligim që ta nënshkruajë.

Megjithatë, praktika thotë se presidenti di edhe ta shkelë Kushtetutën, që do të thotë se edhe në këtë rast të mos e nënshkruajë dekretin, ashtu siç është rasti me ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ende është i bllokuar te presidenti.