Gastronomët shqiptarë në Zvicër

Kuzhina shqiptare është e pasur por duhet ta bëjmë atë më të njohur

Me qëllim promovimin e i kuzhinës shqiptare, kulturës së ushqimit dhe prodhimeve shqiptare në Evropë, të dielën, më 3 dhjetor mbahet në Uster mbrëmja “Shije Shqiptare”

Blerim Shabani

Naser Gashi është i vetmi ëmbëltor (pastiçer) krahas tre kuzhinerëve që të dielën do të prezantojnë ”Shijet shqiptare” në aktivitetin me po këtë emër që do të mbahet në Uster të Cyrihut. Gashin e bashkon me të tjerët pasioni për kuzhinën shqiptare dhe synimi për ta bërë atë sa më përfaqësuese në botë. Këtë do të përpiqen ta bëjnë më 3 dhjetor në “Stella del Centro”.

I lindur në Prishtinë në vitin 1966, Naseri vjen nga një familje 12 anëtarëshe, nga babai minator dhe nëna amvise.

“Nga fundi i viteve të 80-ta u largova nga vendlindja dhe u vendosa në Francë/Paris ku fillova shkollën për kuzhinë dhe pas saj edhe “aventurat” në kuzhinat parisiene. Më vonë përfundova shkollën për ëmbëlsira, “Ecole superieure de cuisine francaise”, dega e ëmbëlsirave. Prej 12 vitesh jetoj në Slloveni ku kam krijuar familje. Këtu kam hapur qendrën e trajnimit privat “LA GANACHE” ku organizoj seminare të ndryshme në lëmin e ëmbëlsirave dhe të bukës”, thotë Gashi për albinfo.ch.

 Mes kuzhinës franceze dhe asaj “për të mbushur barkun”

Pyetjes se në cilën kuzhinë e ndjen veten më shumë “në shtëpi të veten”, ai i përgjigjet se patjetër, në kuzhinën franceze, në të cilën ai e ka filluar profesionin. “Prej fillimit të karrierës sime në gastronomi, jam i lidhur me gastronominë franceze dhe për këtë arsye aty ndihem më mirë. Por sigurisht, pa e nënçmuar lidhjen e afërt me kuzhinën shqiptare. Mirëpo, thekson Gashi, “rrethanat kanë bërë që kuzhina jonë në atë kohë ka qenë diçka vetëm sa për të mbushur barkun”. Dhe me këtë rast në parantezë ai shton: “shpresoj që nuk ju hy në hak numrit të madh të njerëzve që edhe sot e kësaj dite, për shkak të varfërisë, mjerisht vazhdojnë të jenë në këtë gjendje”.

Ndërsa Gashi thotë se ideja për “Shijet…” ka qenë e Përparimit, Sokolit dhe Farukut. “Më pas kam marrë edhe unë ftesën për t`iu bashkuar atyre dhe kështu isha prezent me vëllain që më përkrahu në darkën e parë të organizuar në restaurant “La Perla” të Faruk Nezirit dhe Nagip Ibrahimit në Graz. Këtu, me vëllain Arsimin që jeton në Francë paraqitëm dy ëmbëlsira: njëra ishte një Tamëloriz dhe tullumba dhe tjetra një “byrek fletore” (lloj bakllavaje) me arra, me shije sikur të “ktyne herit”, të gjylit. E kujtoj, kur isha fëmijë, në oborr të shtëpisë kishim xhyla/trëndafila, me petalet e të cilëve nëna dhe motrat bënin një lëng jashtëzakonisht të shijshëm (shurup trëndafili) të cilin sot mund ta shijojnë vetëm njerëzit e privilegjuar sepse gjenden me vështirësi dhe janë shtrenjtë”.

Edhe Naser Gashi është i bindur se kuzhina shqiptare ekziston dhe ne si shqiptarë nuk kemi përse të kemi komplekse në këtë drejtim.

Kush mund të vërtetojë që bakllavaja nuk është shqiptare?

“Kuzhina shqiptare ËSHTË dhe ka qenë. Kush mund të vërtetojë që, për shembull, bakllavaja nuk është shqiptare? Kush mund ta vërtetojë me fakte që kjo ëmbëlsirë nuk është bërë së pari në trojet tona? Ndoshta kjo ishte një ëmbëlsirë të cilën pushtuesit e morën te ne dhe e zhvilluan në formën si njihet sot. Pastaj ajo prapë u kthye te ne, si një ëmbëlsirë turke, greke apo… Për këtë arsye nuk kemi përse ta ndiejmë veten të “vogël”’ dhe të kompleksuar. Fundja, të gjitha gjërat prej të cilave bëhen specialitetet që i përgatisim ne, bëhen në nënqiellin e trevave tona, si: arrat, mollat, limonat etj. etj. Por vetëm duhet t`i përdorim sa më shumë, duke i edukuar fëmijët tanë se këto gjëra që bëhen këtu, janë tonat dhe janë më të mirat.

Bakllava, byreku, flija, tamëlorizi, qumështori… janë të panumërta ushqimet që mundemi lirisht t`i  quajmë shqiptare. Ka aq shumë sa që na duhen vite për të vizituar dhe hulumtuar ushqimet shqiptare në çdo trevë”, e thotë me bindje Naser Gashi.

Ai shton se interesimi për “Shijet shqiptare” është i madh dhe kjo sa vjen e shtohet.

“Shpresoj që nuk do të ndalet në këtë pikë por do të jetë një lëvizje dhe një rast të cilin do ta përqafojnë i madh e i vogël e do të shkojmë përpara”, thotë në fund Naser Gashi.

Ne kemi kuzhinë të madhe, nuk duhet të kompleksohemi

Naser Gashi: “Kuzhina shqiptare ËSHTË dhe ka qenë. Kush mund të vërtetojë që, për shembull, bakllavaja nuk është shqiptare? Kush mund ta vërtetojë me fakte që kjo ëmbëlsirë nuk është bërë së pari në trojet tona? Ndoshta kjo ishte një ëmbëlsirë të cilën pushtuesit e morën te ne dhe e zhvilluan në formën si njihet sot. Pastaj ajo prapë u kthye te ne, si një ëmbëlsirë turke, greke apo… Për këtë arsye nuk kemi përse të ndihemi të vegjël’ dhe të kompleksuar.

Mbrëmja mbahet në: Restaurant “Stella Del Centro”
Uster 77

Zürichstrasse 1

8610 Uster
Email: [email protected]
Numer Telefoni: +41764889111 +41786415058.
+41766809493