Turizëm

Laguna e Karavastasë, një vend që duhet vizituar

Në vijim të promovimit të pasurive natyrore të vendit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka treguar pamje fantastike që ka Laguna e Karavastasë, e që është më e madhe në Shqipëri dhe ndër më të mëdhatë në Adriatik.

Kryeministri shqiptar me këtë ka kërkuar që edhe ky vend të futet në hartën e pikave turistike.

Laguna e Karavastasë përbën sipërfaqen prej 4.100 ha të kompleksit ligatinor të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, që shtrihet ndërmjet lumit Shkumbin në veri dhe lumit Seman në jug, 40 km në perëndim të qytetit të Lushnjës nga ana e bregdetit Adriatik, përcjell albinfo.ch.

Karavastaja është një nga tri zonat Ramsar në Shqipëri. Ajo është strehë për një numër të madh të shpendëve dimëruese dhe po ashtu është një vend i rëndësishëm për shumë specie me interes të madh të ruajtjes, si Pelikani dalmat.