Kultura

Lala Meredith Vula me mullarët “e saj” të sanës në “Documenta 14”

Në fotografitë e saj, mullarët bëhen individë dhe dëshmitarë të heshtur të historisë, thuhet në këtë artikull, të titulluar “Stonehenge prej sane”, duke iu referuar ngjashmërisë me monumentet e njohura mistike prej guri “Stonehange” në Angli

Në kuadrin e aktivitetit  artistik ndër më të mëdhenjtë  në Botë, serisë së ekspozitave “Documenta” që mbahet në Kassel të Gjermanisë, artistja shqiptaroangleze Lala Meredith-Vula ka hapur ekspozitën e saj të fotografive. Lala Vula është bërë e njohur që në fundin e viteve `80 kur kishte ardhur në Kosovë, në vendlindjen e babait të saj, ku kishte gjetur frymëzimin për art në një objekt kaq të zakonshëm në zonat rurale, në mullarët e sanës, shkruan albinfo.ch- Këta mullarë, një pamje triviale për ata që i shohin çdo ditë, duke kaluar  objektivit të Lala Meredith-Vulës kanë marrë një hije magjike.

“Artistja Lala Meredith-Vula i inskenon mullarët e barit në atdheun e saj, në Kosovë si qenie magjike. Seria e saj e fotografive “Haystack Series” të përball me misterin: a mund të shihet në muzg më shumë se që mendohet se mund të shihet?”, shkruan deutschlandfunk.de në prezantimin e ekspozitës që zgjat deri më 20 shtator.

Lala Vula është lindur në Sarajevë në vitin 1966 ndërsa jeton në Londër. Kultura rurale e vendeve të Ballkanit për të është një pikë me rëndësi referimi. Ajo është fascinuar nga egërsia, natyraliteti dhe autenciteti i regjionit.

Në “documenta 14”, Lala Vula prezanton veç tjerash fotografitë nga seria e saj “Haystack”. Duke filluar nga viti 1989 artistja fotografon në vazhdimësi mullarët gjigantë të sanës, të cilët bujqit në Ballkan i ngrehin për të mbrojtur sanën nga lagështia. Në këto ngrehina fshatare ajo sheh një “Kuintesencë të artit”, transmeton albinfo.ch. Në fotografitë e saj, mullarët bëhen individë dhe dëshmitarë të heshtur të historisë, thuhet në këtë artikull, të titulluar “Stonehenge prej sane”, duke iu referuar ngjashmërisë me monumentet e njohura mistike prej guri “Stonehange” në Angli