Integrimi

LAPSH duhet të hapet ndaj gjeneratave të reja

Diana Kabashi është pedagoge në një shkollë të mesme në Zvicër. Për albinfo.ch ajo flet si aktiviste, ish nxënëse e shkollës shqipe në Zvicër dhe si nënë rreth problemeve që ka mësimi plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër

LAPSH ka lindur si nevojë për të ruajtur gjuhën dhe komunikimin e fëmijëve shqiptarë në diasporë. Por për tu organizuar LAPSH-i u angazhuan jo vetëm arsimtaret. Ishin edhe prindërit ata që vrapuan nëpër shkolla e nëpër komuna. Diana Kabashi jeton në Zuchwil të Soloturnit dhe punon si pedagoge pranë shkollës së mesme të mjekësisë. Është aktiviste e shquar për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së prejardhjes. Për alnbinfo.ch ajo flet lidhur me përvojat e saj nga hapja e shkollës shqipe në Zuchwil të kantonit Solothurn dhe prek problemet me të cilat përballet mësimi plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër, në përgjithësi.

“Rrugëtimi i shkollës shqipe në komunën e Zuchwilit përshkruhet në dy etapa. Etapa e parë lidhet me angazhimin e mësuesit të parë në Solothurn, Abas Fejzullahut, ndërsa etapa tjetër lidhet me angazhimin tone. Iniciativa ishte e prindërve dhe e mësuesit Abas, thotë Diana Kabashi, pedagoge në shkollat zvicerane dhe nënë, e angazhuar në fillimet e mësimit shqip në Zvicër. Pas një takimi me disa prindër, të cilët shprehen dëshirën t`i inkuadrojnë fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës shqipe unë bëra kërkesën me shkrim në komunë dhe në drejtori të shkollës. Si nënë e ndjeja mangësinë e shqipes dhe frymën e kulturës shqiptare tek fëmijët e mi dhe dëshiroja që fëmijët e mi ta pranojnë dhe ta përjetojnë pozitivisht dhe me krenari kulturën dhe gjuhën e prejardhjes”.

  • Kur i fton 72 familje dhe të vijnë vetëm 3!

Në komunë dhe në drejtori të shkollës hasëm në një mirëkuptim dhe përkrahje të madhe. Për të përfshirë sa  më shumë fëmijë të moshës shkollore, organizuam një mbrëmje informative me praninë e mësuesit Abas Fejzullahu dhe drejtorit të shkollës, Stefan Hug. Në këtë mbrëmje ne  ftuam me shkrim 72 familje shqiptare, fëmijët e të cilëve vijonin mësimin në shkollën zvicerane. Nga këto 72 familje në atë mbrëmje ishin të pranishme vetëm tri familje shqiptare! Edhe ato në ndërlidhje familjare. Nga ky dëshpërim i madh, ne i vumë vetes detyrë të ndajmë projektin tonë në dy pjesë, njëra pjesë ishte puna strukturore, organizative me LAPSH-in, ndërsa pjesa tjetër informimi personal i prindërve. Sepse situata informuese na dëshpëroi tej mase, unë dhe bashkëshorti im, Ludviku, filluam të trokasim derë më derë nëpër familjet shqiptare në Zuchwil.

Por me këta hapa ne njoftuam dhe fituam shumë prindër të motivuar, të cilët na u bashkuan duke u angazhuar masivisht në rrugën e dijes. Ne i sfidonim të gjitha pengesat vetëm të krijonim atë folenë e mësimit shqip. I bëmë 12 nxënës, klasën tonë e rezervuam që të hënave të mbaheshin nga dy orë mësimi shqip me dy leksione pra në shkollën Pisoni në Zuchwil. Më kujtohet dita e parë kur u mblodhëm për orë informative, ishim së bashku prindër e fëmijë, ishte vërtetë kënaqësi.

  • Nevojitet planprogram i përshtatur për fëmijët e rritur këtu

Ndërsa në lidhje me vlerësimin që ajo ka për punën e LAPSH-it në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, traditave shqiptare, Kabashi thotë se LAPSH vite me radhë ka bërë një punë të madhe sipas mundësive që ka pasur. “Janë gjithmonë të njëjtit njerëz ata që me shumë mund po shtyjnë përpara procesin e mësimit shqip. Mendoj se mungon një ndërrim gjeneratash në këtë drejtim. Detyrën e LAPSH-it unë e shoh më shume në planprogramet mësimore, kualifikim, trajnimin e mbështetjen e mësuesve, bashkëpunimin me prindër dhe institucionet shkollore zvicerane lidhur me sigurimin e lokaleve shkollore apo shkëmbim përvojash.

Për fëmijët tanë në mërgatë nevojitet një planprogram i kapshëm në përputhje me aftësitë gjuhësore dhe orarin e shkurtër mësimor. Sa jam e informuar, LAPSH-i punon me planprogramin e njëjtë të Ministrisë së Arsimit të Kosovës i cili në mërgatë është vështirë të praktikohet. Në shkollën tonë fatkeqësisht numri ka shkuar duke u zvogëluar. Mendoj se janë disa faktorë që kanë ndikuar në këtë ulje: bashkëpunimi i paktë apo i ngurrtë prindër-arsimtarë, transparenca e mangët, metodat e vjetra pedagogjike, mungesa e trajnimit të kuadrove, mosrespektimi i orarit të punës, si dhe kritikat e mangëta konstruktive. Në shoqërinë tonë kritikat merren më shumë personale. Mandej mendoj se edhe prindërit presin më shumë se sa është e mundur ndërkohë që planprogrami ka vetëm dy orë në javë. Motivi i shkollës duhet të bartet edhe tek prindërit, edhe prindërit duhet të angazhohen për t`ua mësuar gjuhën fëmijëve të tyre me vjersha e me tregime nga kultura jonë edhe jashtë orarit të mësimit, thotë tutje znj. Kabashi.

  • Si t`i motivojmë fëmijët për të ndjekur mësimin shqip?

Unë jam gjenerata e dytë, kam ndjekur mësimin shqip, me po ato metoda të vjetra që mësojnë fëmijët e mi që janë gjenerata e tretë. Si të motivohet fëmijët? Neve na është dashur ti vëmë detyrë djalit  tonë të ndjek mësimin shqip duke pritur nga ai që gjuhën shqipe të trajnojë të paktën njësoj si anglishten apo frëngjishten, të cilat i mëson në shkollën ditore zvicerane. Por njëkohësisht ne si prindër i vumë detyrë edhe vetes që me organizimin e festave të ndryshme dhe pjesëmarrjen tonë aktive në procesin mësimor të gjallërojmë mësimin dhe vlerësojmë mundin e djalit tonë.

Si pedagoge mund të them se mësimi kulturor mund të bëhet i suksesshëm kur procesi mësimor të institucionalizohet, kuadri mësimor të ndjek metodat e reja mësimore, të trajnohet e kualifikohet rregullisht dhe të shpërblehet puna e tyre madhore si duhet edhe në bazë financiare. Dhe sigurisht, të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë me shkollat ditore zvicerane.

Rreth asaj se a mjaftojnë mësuesit ekzistues për organizimin e mësimit shqip në diasporë, znj. Kabashi thotë: “natyrisht se do të ishte ideal angazhimi i kuadrit sa më profesional por sipas mendimit tim edhe gjenerata e dytë mund të sjell resurse në këtë drejtim, edhe ata me shkollë të mesme munden shumë mirë të kontribuojnë në këtë drejtim, duke u trajnuar, natyrisht. Dhe jo fakulteti të jetë kusht për mësimdhënësin, po trajnimet dhe kualifikimet duhet të jenë obligative. Kështu me gjeneratën e dytë si potencial do të ruajmë gjuhën dhe kulturën dhe fëmijët do të ndjehen të lumtur e të pasur me prejardhjen. Gjenerata e dytë të jetë shembulli më i mirë i gjeneratës së tretë. Kjo metodë besoj se sjell sukses.

Ndërsa lidhur me praninë e prindërve shqiptarë në shkollë Diana Kabashi thotë: ”prindërit të cilët inkuadrojnë fëmijët në procesin mësimor zakonisht i përjetoj tejet të angazhuar dhe madje ambicioz. Por për fat të keq është ende i vogël numri i tyre. Dëshira e prindërve të angazhuar është shume e madhe por mundësia e fëmijëve është e vogël, sepse ata shumë pak e përvetësojnë gjuhën shqipe. Kur fëmija reciton para publikut, publiku ynë është kritikues deri në tallje, madje vërehet edhe rivaliteti ndërmjet shkollave dhe prindërve dhe kështu demotivohen fëmijët. Duhet të jemi ne prindërit pasqyrë për fëmijët tanë, ne të jemi mbështetja, motivimi, dhe fuqia e guximit të tyre shpirtëror  e jo t`i shtyjmë fëmijët t`i plotësojnë dëshirat tona. Besoj se kjo është një detyrë e rëndë për fëmijët tanë. Përgjegjësia patjetër duhet të mbetet tek te rriturit.

Fëmijët e mi mësojnë shqip me të njëjtat metoda, sikur unë dikur!

Unë jam gjenerata e dytë, kam ndjekur mësimin shqip, me po ato metoda të vjetra që mësojnë fëmijët e mi që janë gjenerata e tretë. Si të motivohet fëmijët? Neve na është dashur ti vëmë detyrë djalit  tonë të ndjek mësimin shqip duke pritur nga ai që gjuhën shqipe të trajnojë të paktën njësoj si anglishten apo frëngjishten, të cilat i mëson në shkollën ditore zvicerane.