Shëndetësi

Larja e enëve zgjat jetën

Ato që bënin së paku 30 minuta në ditë në larje të enëve apo dritareve, kishin 12 për qind më pak shanse që të përjetonin vdekje të hershme

Larja e enëve dhe palosja e rrobave nuk është pjesa më e mirë e ditës. Por aktivitetet e thjeshta si këto ndihmojnë në zgjatjen e jetës, sipas një hulumtimi të ri.

Një studim në SHBA ka nxjerrë një konkludim se gratë që kanë bërë më shumë aktivitete ‘të lehta’ ishin më pak në rrezik për vdekje të hershme.

Ato që bënin së paku 30 minuta në ditë në larje të enëve apo dritareve, kishin 12 për qind më pak shanse që të përjetonin vdekje të hershme. Ato që bënin po ashtu edhe më gjatë këto “ushtrime” kishin 39 për qind më pak shanse për vdekje të hershme, transmeton Albinfo.ch.

“Bërja e diçkaje është më mirë se të mos bësh asgjë, edhe në nivele të ulëta të aktiviteteve fizike”, ka thënë Michael LaMonte nga Universiteti i Buffalos në New York.

Në studim u përfshinë më shumë se 6000 gra mes moshave 63 dhe 69 vjeçare aktivitetet e të cilave u matën nga një senzor që bartnin.  Duke u bazuar në të dhënat e nxjerra, hulumtuesit thanë se aktivitetet fizike bënë që gratë të kenë shëndet më të mirë.