Kosova

LB: Qeveria, e papërgjegjshme ndaj parasë publike

Lëvizja për Bashkim ka reaguar ndaj vendimit të ekzekutivit kosovar, i cili ka proceduar për implementimin projektligjin e rritjes së pagave, kryesisht për stafin politik. Qeveria vendosi pasi mori vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendimin e Qeverisë nuk e konsideron jokushtetues, transmeton albinfo.ch.

“Edhe kësaj radhe, ky veprim i Qeverisë ka shqetësuar opinionin publik dhe ka dëshmuar për një qasje arrogante që ka kjo qeveri në të gjitha drejtimet. Lëvizja për Bashkim konsideron se Qeveria, para se të vendoste për zbatimin e këtij vendimi, do të duhej të reflektonte lidhur me reagimin e opinionit publik për këtë çështje. Ajo, së paku, nuk do të duhej të ndërmerrte këtë hap para se ta draftonte Ligjin për Qeverinë, në të cilin do të kufizohej numri i ministrave, këshilltarëve, e sidomos zëvendësministrave. Të mos harrojmë se kjo qeveri, në mënyrën më të papërgjegjshme, ka shtuar në rreth 80 numrin e zëvendësministrave, të cilët përveç barrës financiare, janë edhe pengesë në efikasitetin e punës së ministrive”, thuhet në reagim.

Për Lëvizjen për Bashkim është e papranueshme se si Qeveria Haradinaj vendosi t’i rrisë pagat mbi nivelin e pagave të rajonit dhe në shpërputhje të plotë me situatën socio-ekonomike në Kosovë. “Kjo qeveri po vazhdon të tregohet tërësisht e papërgjegjshme ndaj parasë publike dhe njëkohësisht po vazhdon të shpërblejë militantët partiakë me poste zëvendësministrash, duke abuzuar kështu me buxhetin e shtetit. Fatkeqësisht, puna e deritashme e kësaj qeverie nuk na jep shpresë dhe arsye për të besuar se këto paga dhe këto shpërblime do të përkthehen në rezultate”, përfundon reagimi.