Kosova

LDK-ja mirëpret marrëveshjen, thërret edhe VV-në të votojë demarkacionin

“Kjo e hap rrugën që sa më parë në Kuvendin e Kosovës të ratifikohet kjo marrëveshje dhe të kërkojmë nga BE-ja që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm, sikurse qytetarët e vendeve të tjera të rajonit"

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se kjo parti e mirëpret gatishmërinë e partive të koalicionit për të pranuar propozimin e LDK-së lidhur me Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

“Kjo e hap rrugën që sa më parë në Kuvendin e Kosovës të ratifikohet kjo marrëveshje dhe të kërkojmë nga BE-ja që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm, sikurse qytetarët e vendeve të tjera të rajonit”.

LDK-ja fton edhe Vetëvendosjen të bashkohet në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje që është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Hoti. Arritjen e marrëveshjes e ka përshëndetur edhe deputeti Lumir Abdixhiku, duke e quajtur atë lajm të mirë për Kosovën. “Është fund i viteve të humbura pa kuptim, e fillim i mundësisë për lëvizje të lirë. Republika fitoi sot”, ka thënë ai.

Pacolli, i lumtur për arritjen e marrëveshjes për demarkacionin

I lumtur me arritjen e marrëveshjes për demarkacionin është shprehur edhe zv.kryeministri e ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli. Ai ka falënderuar LDK-në, të cilën e ka quajtur parti institucionaliste dhe që funksionon në interes të qytetarëve e shtetit. “Jam shumë i lumtur që tanimë është arritur koncensusi i plotë për kalimin e demarkacionit dhe zgjidhjen e problemit të lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Një falënderim i madh shkon për LDK-në, si parti institucionaliste dhe që funksionon në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. E vlerësoj shumë pozitivitetin dhe vullnetin e kryeministrit Haradinaj për të lëvizur përpara në të mirë të të ardhmes së të rinjve të Kosovës. Me vullnet pozitiv zgjidhen të gjitha problemet. Kosovën e pret e ardhme e ndritur”, ka shkruar Pacolli.