Kosova

LDK-ja sërish kërkon rrëzimin e qeverisë Haradinaj  

"Në këtë qeveri janë tre ministra që kanë aktakuzë të ngritur dhe një ministër që ka shkelur kodin penal, duke shkelur sigurinë publike si dhe një ministër tjetër me akuza edhe më të rënda për keqtrajtimin e shqiptarëve"

Lidhja Demokratike e Kosovës sërish ka përsëritur se vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje. Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti  ka thënë se elementet e korrupsionit dhe kapjes së shtetit vërehen në të gjitha segmentet. Ai ka thënë se aktualisht në Qeverinë Haradinaj janë pesë ministra me aktakuza.

“Në këtë qeveri janë tre ministra që kanë aktakuzë të ngritur dhe një ministër që ka shkelur kodin penal, duke shkelur sigurinë publike si dhe një ministër tjetër me akuza edhe më të rënda për keqtrajtimin e shqiptarëve. Por, që kryeministri Haradinaj u detyrua ta mbante. Nuk mund të pajtohemi që këta persona me aktakuzë të vazhdojnë të kryejnë detyra zyrtare, ngase është e qartë që nuk mund të jenë të pavarur në kohën që hetohen”, ka thënë Hoti, duke kërkuar mbështetje për nismën e LDK-së që vendin do ta dërgonte drejt zgjedhjeve.

Ndërkohë, deputeti tjetër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pyetur kreun e Kuvendit që është kryetar i PDK-së se si mund të punojë me aq shumë njerëz rreth vetes e të gjithë me aktakuza, derisa pyetjen e njëjtë e pati edhe për kryeministrin.

Ndërsa, Deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti, ka folur për krizën në Postë e Telekom. Ai ka thënë se shkaktarët që e sollën Telekomin në këtë gjendje do të përballen me drejtësinë.

Ndërkohë, Driton Çaushi nga Grupi i Deputetëve të Pavarur ka kërkuar shkarkimin e kryeshefit të AVUK-ut si dhe bordin e këtij institucioni, pas skandalit me mishin në Kosovë.