Shkurt.ch

Le Locle: Rrëmujë pas ujit gratis që e dhuron komuna

Përgjegjësi i qytetit për komunikim është treguar i befasuar nga rrëmuja e madhe për ujë. Brenda më pak se tri orëve janë shpërndarë 3000 shishe ose 4500 litra ujë

Pasi që pak ditë më parë qe konstatuar se rreth 1000 persona kanë marrë infektim nga uji me baktere i ujësjellësit në Le Locle të Kantonit Neuchatel, komuna ka vendosur të shpërndante për qytetarët e saj falas shishe uji të pijshëm. Nga shkaku i kërkesës shumë të madhe të qytetarëve për ujë, ky aksion i komunës ka bërë që të bllokohen edhe rrugët, shkruan srf.ch.

Në Le Locle uji me paketime nga gjashtë shishe ka filluar të shpërndahet nga ora 7.30 e mëngjesit ndërsa bllokimi ka ndodhur pasi që shumica e qytetarëve kishin ardhur të merrnin ujë me makinat e tyre.

Përgjegjësi i qytetit për komunikim është treguar i befasuar nga rrëmuja e madhe për ujë. Brenda më pak se tri orëve janë shpërndarë 3000 shishe ose 4500 litra ujë. Pastaj janë porositur edhe 3000 shishe tjera. Ata që nuk kanë mundur ta bartin ujin vetë, kanë mundur ta porosisin atë që t`u sillej në shtëpi.

Ndërkohë, uji i ujësjellësit, që të përdoret për pije duhet më parë të vlohet. Shkaktari i ndotjes së ujit ende nuk është bërë i njohur.

Po këto ditë edhe një komunë tjetër, kësaj here në Kantonin Valis, ka bërë të njohur se uji i ujësjellësit të saj aktualisht nuk është i pijshëm. Fjala është për komunën St.Maurice ku janë gjetur baktere në ujë Shkak i ndotjes në këtë rast duket se është një problem në impiantin e pastrimit të ujërave. Edhe në St.Maurice qytetarëve u rekomandohet që ujin e ujësjellësit që duan ta përdorin për pije, para kësaj ta vlojnë.