Lajme

Le Monde: “Kosova dëshiron të jetë anëtare e familjes Olimpike”

Fragmente të një shkrimi të "Le Monde¨" mbi aspiratat e kosovarëve për të hyrë në familjen olimpike (përkthimi: albinfo.ch)

“Koha po vrapon”. I ulur në zyrën e tij në Shtëpinë e Sporteve, e cila është e vendosur përgjatë rrugës së zhurmshme “Agim Ramadani” në qendër të Prishtinës, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar të Kosovës, Besim Hasani, vështron se ditët po ecën njëra pas tjetrës, ndërsa Lojërat Olimpike të Londrës po afrohen. Lojëra, në të cilat Kosova përpiqet të marrë pjesë për herë të parë në historinë e saj.

“Kjo është një sfidë shumë e rëndësishme: në qoftë se atletët tanë nuk mund të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, askush nuk do të dijë se Kosova, ende e perceptuar kryesisht negativisht, ka talente të mëdha atletike”, tregon i shqetësuar z. Hasani, i cili ka shumëzuar muajt e fundit thirrjet telefonike dhe takimet me shpresë se së shpejti do të ketë një përgjigje pozitive për këtë çështje tejet të politizuar.

Disa muaj para afatit të fundit dhe katër vjet pas pavarësisë, ish-provinca serbe ende lufton për të qenë e njohur nga Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) që do të lejonte atletët e saj të shkojnë nën ngjyrat kombëtare në Londër gjatë periudhës 27 korrik – 12 gusht.

Përveç sfidës sportive dhe etjes legjitime për medalje, prania e flamurit të Kosovës në ceremoninë e hapjes së atletëve do të nënshkruante kthimin e atletëve të këtij vendi të vogël ballkanik në skenën ndërkombëtare, i cili ishte i përjashtuar prej më shumë se njëzet vjetësh, për shkak të dhunës që shpërtheu në rajon, pas rënies së ish-Jugosllavisë në vitin 1991.

Përballë Beogradit, i cili zbehet sa herë që Kosova pranohet si shtet (ndërsa ai vazhdon ende ta konsiderojë si krahinë të saj), Kosova ka dy vjet që arriti një fitore simbolike. Në fund të tetorit 2009, në stadiumin “Pierre-de-Coubertin” në Paris, himni i Kosovës jehonte për herë të parë gjatë një ceremonie për shpërndarje të medaljeve të garave botërore.

Në shkallën më të lartë të podiumit, Majlinda Kelmendi, me origjinë nga Kosova, e cila paraqitej me sy të ndritshëm, me një buzëqeshje të plotë dhe me një modesti atletike të sinqertë, perjeton një fitore historike që ndan më një popull të tërë. Në moshën 18-vjeçare, xhudistja e re sapo fiton medaljen e parë të artë në nivel ndërkombëtar në finale të Kampionatit Botëror Junior në kategorinë nën 52 kg. Ndryshe, nga kundërshtarja izraelite e saj, Shahar Levy, Majlinda Kelmendi mund të marrë pjesë në këtë ngjarje vetëm nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos në pritje të njohjes së Kosovës nga organet ndërkombëtare sportive.

“Unë nuk pritja të dëgjoj himnin tim”, kujton me plot emocione xhudistja e re, të cilën e takuam në klubin e Pejës IPPON, ku ajo ushtrohet katër deri në pesë orë çdo ditë. “Ishte një moment historik. Pavarësisht nga numri i garave në të cilat kam marrë pjesë, unë mendoj se atë moment do ta mbaj në mend gjithë jetën time”, thotë ajo.

Që nga refuzimi e kandidaturës së saj për lojërat në Pekin në vitin 2008, shteti i ri lufton prapa skenës me shpresë se këtë verë do të dëgjohet edhe himni i saj në Londër. Prishtina, e cila shpresonte se me pavarësinë e saj të njohur që nga viti 2008 nga 86 shtete (duke përfshirë 22 të 27 anëtarëve të Bashkimit Evropian), do të arrinte të hapë dyert e garave ndërkombëtare, është zhgënjyer shpejt falë ngurrimeve të Serbisë kur bëhet fjalë për ekzistencën e një Kosove sportive në nivelin botëror.

Në përputhje me Kartën Olimpike, Kosova duhet, si çdo kandidat në KON, të plotësojë tri kritere: të gëzojë njohje ndërkombëtare, të plotësojë kriteret teknike, siç janë krijimi i objekteve të forta sportive, si dhe të jetë e pajisur me pesë federata anëtare të Federatave Ndërkombëtare të radhitura në programin e Lojërave.

“Deri tani tri nga federatat tona janë anëtare të Federatave Ndërkombëtare, shpjegon Besim Hasani. Tenisi në tryezë, që nga viti 2003, peshëngritja që nga viti 2008 dhe gjuajtja me hark prej këtij viti. Ne jemi një anëtare e Federatës për beteja, anëtar të përkohshëm të Federatës të Skitarisë dhe jemi në pritje të përgjigjes nga Federata e anijeve si dhe të pentatlonit modern. Ne shpresojmë se KON-i do të kuptojë situatën tonë”.

Sa i përket kriterit më të ndjeshëm, ndryshe të njohjes ndërkombëtare, qeveria kosovare mbështet në paqartësinë ligjore përreth formulim. Ajo gjithashtu përdor mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në korrik 2010, e cila thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar. Por, prapëseprapë thirrja e Prishtinës mund të jetë e kotë: që nga viti 1996, kur ndryshimet e fundit në Kartën Olimpike në lidhje me njohjen dhe pjesëmarrjen e Palestinës në Lojërat Atlanta, asnjë shtet i panjohur nga Kombet e Bashkuara nuk është njohur nga KON-i.

“Në statut thuhet që një vend duhet të njihet nga bashkësia ndërkombëtare, por askush nuk e di se çfarë do thotë komuniteti ndërkombëtar. OKB-ja? Ne jemi të njohur nga Banka Botërore, FMN-ja, me më shumë se 80 vende në mbarë botën. Tani i mbetët Bordit Ekzekutiv të KON-it për të vendosur”, shton Besim Hasani, i cili vë edhe dorëheqjen e tij në peshë për zgjedhje. “Pritja e njohjes së Kosovës nga OKB-ja do të ishte një gabim bruto, sepse mund të kalojnë edhe njëzet ose tridhjetë vjet para se ne të jemi të njohur. Ndërkohë, çfarë do të ndodhë me sportistët tanë?”