Kosova

Lekaj: Ende s’kemi marrë vendim për 63 milionëshin

Ai ka mohuar se institucionet e vendit kanë pranuar të paguajnë një shumë të tillë, e cila është mbledhur nga mospagesa e mjeteve gjatë viteve 2014-2015-2016

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka bërë të ditur se kjo ministri është ende në diskutime me “Bechtel Enka”-n rreth kërkesës së kësaj të fundit për t’iu paguar shuma prej 63 milionë eurosh.

Ai ka mohuar se institucionet e vendit kanë pranuar të paguajnë një shumë të tillë, e cila është mbledhur nga mospagesa e mjeteve gjatë viteve 2014-2015-2016.

“Ajo nuk i përket periudhës tonë 100 ditore që e kemi pasur,  por i takon periudhës 3 vjeçare, 2014-2015 dhe 2016 sepse nuk i kanë kryer obligimet e veta si qeveri si ministri dhe ka ardhur tek ky pretendim. Unë asnjëherë nuk e kam thënë që ky 63 milionësh do të paguhet, por kam thënë që ne do të negociojmë”, ka thënë Lekaj.

Këto komente i pari i Ministrisë së Infrastrukturës i ka bërë në vizitën bërë punimeve në këtë autostradë me çka është njoftuar se segmenti tjetër nga Ferizaj deri në fshatin Doganaj do të përfundoj në qershorin e këtij viti.