E-Diaspora

Lekë L. ishte shkaktari i aterrimit të detyruar të aeroplanit zviceran në Kanada

Gazeta kanadeze “The Telegram” shkruan se personi në fjalë është Lekë L*., 24 vjeçar nga Bronxi i Nju Jorkut, SHBA

Më 13 janar, aeroplani i Kompanisë Ajrore të Zvicrës „Swiss“ që po fluturonte nga Nju Jorku drejt Cyrihut të Zvicrës, qe detyruar të aterronte në aeroportin “Gander” në Neufundland të Kanadasë. Stafi i aeroplanit kishte vemdosur të ndalonte për shkakun se një pasagjer ishte “rebeluar” gjegjësisht me sjelljet e tij problematike ishte bërë pengesë për fluturimin e mëtejmë.

Ndërkohë, gazeta kanadeze “The Telegram” shkruan se personi në fjalë është shtetasi amerikan  Lekë L*., 24 vjeçar nga Bronxi i Nju Jorkut, SHBA, transmeton albinfo.ch.

Botimi online i gazetës zvicerane “Blick” ka kërkuar përgjigje nga “Swiss” lidhur me incidentin. “Pasi që për `Swiss` siguria është prioriteti i parë, stafi ka vendosur për ndalesë në Gander. Pasagjeri i përmendur i është dorëzuar autoriteteve vendore”, ka thënë për blick.ch një zëdhënës i Swiss, pa folur për identitetin e personit.

Lekë L. tash duhet të përgjigjet para gjykatës në Neufundland për problemin që ka shkaktuar, transmeton albinfo.ch. Deri tash ka pasur dy marrje në pyetj ndërsa të marten (sot) rasti i tij do të procesohet më tutje, shkruan “The Telegram”.

Ai akuzohet se “ka penguar në mënyrë të qëllimshme punët e stafit të aeroplanit dhe me këtë ka rrezikuar edhe sigurinë e fluturimit”, thuhet në raportin policor.

*Mbiemri i plotë i personit në fjalë, i njohur për redaksinë. Në asnjërin nga dy tekstet e cituara nuk përmendet përkatësia e tij etnike por vetëm ajo shtetërore, amerikane. Ndërkaq, emri dhe mbiemri, tipik shqiptar, të lënë të kuptosh se bëhet fjalë për shqiptar  nga Kosova, me qëndrim në SHBA.