Lajme

Lëshohen 15 autobusët e parë të Shpendit

15 autobusët e parë u dorëzuan sot dhe do të fillojnë mbulimin e linjave përkatëse në lindje dhe veri-lindje të Prishtinës

Komuna e Prishtinës e pranoi sot kontigjentin e parë prej 15 autobusëve të rinj të cilët do të qarkullojnë nëpër rrugët e kryqytetit. Për kryetarin Shpend Ahmeti sot Prishtina shënon fillimin e një epoke të re për transportin urban, pasi që autobusët e parë dhe 36 të tjerët që do të vijnë deri në filim të pranveres, do të krijojnë komoditet për qytetarët.

Në qershor 2016, BERZH kishte nënshkruar një marrëveshje të huas për ndërmarrjen publike të transportit Trafiku Urban në vlerë deri në 10 milion Euro për të mundësuar blerjen e 51 autobusëve dizel që i plotësojnë standardet e emetimit Euro 6. Huaja ishte garantuar plotësisht nga qeveria, e përfaqësuar nga Ministria e Financave.

15 autobusët e parë në kuadër të këtij projekti u dorëzuan sot dhe do të fillojnë mbulimin e linjave përkatëse në lindje dhe veri-lindje të Prishtinës.

Dorëzimi i autobusëve të parë është shënuar me një ceremoni në Prishtinë ku mori pjesë Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ambasadori i Republikës Çeke në Kosovë, Ivo Šilhavý; zëvendësdrejtori i BERZH për Infrastrukturë Komunale dhe Mjedisore Lin O’Grady dhe udhëheqësja e BERZH për Kosovë, Elena Petrovska.

“Vënia në operim e këtyre autobusëve shënon fillimin e një reforme të konsiderueshme në transportin urban në Prishtinë. Autobusët do të ofrojnë shërbime të qëndrueshme dhe modern për qytetarët tanë dhe do të ndikojnë në reduktimin e konsiderueshëm të ndotjes. Ky është investimi i parë publik komunal i BERZH në Kosovë. Huaja për blerjen e autobusëve do të plotësohet edhe me grante për asistencë teknike“, tha Ahmeti.

Ambasador i Republikës Çeke në Kosovë deklaroi se “Transporti Urban i mirëfilltë dhe që merr parasysh edhe mbrojtjen e mjedisit mundëson zhvillimin e një jete të shëndoshë në qytet njëlloj sikurse qarkullimi i gjakut dhe frymëmarrja mundësojnë jetesën e çdo qenie të gjallë’’.

‘’Unë jam shumë i kënaqur që transporti urban në Prishtinë është duke u transformuar në një sistem modern. Republika Çeke është duke mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Kjo do të thotë jo vetëm mbështetje politike por edhe mbështetjen për qytetarët e Kosovës për përmirësimin e standardit të tyre të jetës. Duke iu falënderuar investimit nga BERZH, autobusët e rinj do të vendosen në operim menjëherë. Më pak ndotje dhe zhurmë, më shumë qëndrueshmëri dhe komoditet, ky është mesazhi që sjellin këta autobusë të rinj”, tha diplomati Çek.

BERZH ka filluar investimet në Kosovë në vitin 1999. Deri më tani, Banka ka nënshkruar 51 projekte në Kosovë me vlerë të përgjithshme prej rreth 220 milionë euro. Kosova është bërë anëtare e BERZH dhe shtet i operimit në dhjetor të vitit 2012.