Opinione

Letër e hapur Gianni De Biasi-t*

Z.Gianni De Biasi: Taulant Xhaka është ylli më i zjarrtë shqiptar në gjithë historinë e futbollit tonë dhe mbetet krenaria e Shqipërisë përgjithmonë. Ju lutem tregoni përkujdesje jo vetëm sportive por edhe kulturore, dhe mos e shkelni bujarinë shqiptare, mos e përmbysni sofrën tonë...

E habitur fort nga fjalët e trajnerit të Kombëtares Shqiptare Gianni De Biasi në tv Klan, unë si fanse e Kombëtares dhe si ndërmjetësuese kulture në Zvicër nuk mundem të hesht ndaj fyerjes që ai i bëri yllit tonë të futbollit, Taulant Xhakës. Ai tha fjalë që nuk përkojnë askund me realitetin.

Z.Gianni De Biasi ju lutem tregoni përkujdesje jo vetëm sportive por edhe kulturore, dhe mos e shkelni bujarinë shqiptare, mos e përmbysni sofrën tonë… Po ua them një gjë : Taulant Xhaka është ylli më i zjarrtë shqiptar në gjithë historinë e futbollit tonë dhe mbetet krenaria e Shqipërisë përgjithmonë. Para se të merrni në gojë Taulant Xhakën, me ato opsionet tuaja të trilluara propagandistike, me një gjuhë manipulimesh, së pari zotëri duhet të njohësh Familjen Xhaka: Gjyshër e stërgjyshër i kanë rënë në luftën për liri, me flamurin që mbron sot Taulanti, pra me atë flamurin Kuq e zi. Ky Flamur nuk të lejon të shkelësh mbi meritat e Taulant Xhakës. Kujdes Gianni De Biasi.

Shqiptarët janë shumë bujarë e janë miq me vlerë por të shash e të marrësh nëpër gojë futbollistet tanë nuk është fare fer kundrejt popullit shqiptar posaçërisht për besimin që ty të kanë dhënë. Babai i Taulantit është një patriot i shquar, një njeri i cili ka bërë shumë për kombin e tij. Taulanti është rritur dhe edukuar në Zvicër, por nga dy prindër shqiptarë të cilët mbollën tek fëmijët e tyre një atdhetari plot mall. E dini ju z.Gianni De Biasi se sa bukur flet shqip Taulant Xhaka ? E dini ju këtë ? Jo sigurisht ju këtë nuk e dini, sepse po ta dinit, s`do të thoshit atë çfarë keni thënë… Taulanti e Graniti u lindën në Zvicër dhe nuk e ndoqën vetëm topin, ata u bënë ambasadorë të një integrimi fatlum, pa e humbur dashurinë ndaj atdheut të parë në mërgim. Taulantin e do shumë Zvicra edhe Taulanti e do Zvicrën, këtë e dini thellë në vete edhe ju z.Gianni Be Biasi. Taulantin e do edhe kombëtarja ajo kosovare, dhe këtë ju e dini, por ju si duket nuk keni mësuar asnjë fjalë shqipe, sepse po të kuptonit pak nga gjuha jonë ,do ta dinit mirë se Taulanti Shqipërinë e do dhe e mbron, se Taulanti në zemër e mban atë flamurin me shqiponjë, dhe Shqipërisë i takon përgjithmonë.

Shqiptarët falin shumë, por kur vjen puna për këtë flamur… A ju kujtohet Droni në Beograd ? Z.Gianni De Biasi, ju gjithmonë po bini në kundërshtim me fjalët e juaja. Ju në njërën anë po thoni se : lojtarët tjerë nuk po luajnë nëpër ekipet e tyre, po atëherë përse i fut në lojë e i len jashtë loje lojtarët që janë standard në ekipet e tyre!!! Nga gabimet që i bëni vetë mos u shfryni ku nuk duhet mllefin, sepse gjithë e dinë se Taulant Xhaka , lojtar i një kalibri të rrallë, që është titulluar në Basel me respekt pafundësisht të madh, që luan me krenarinë e shtetit zviceran edhe në Champions ligë,  ti e lë jashtë ??????? Ne nuk të kuptojmë më aspak …. E gjuha jote mëkatare shkon edhe aq larg sa që e thoni edhe këtë: se Zvicra nuk e ka dashur Taulantin !!! Gabon shumë , se Taulanti për Zvicrën është një legjendë e gjallë. Edhe një gjë nuk po mundem të mos e them, ndoshta edhe je i njohur mirë për këtë temë, prandaj edhe vjell vrer: atë ditë që ishte loja e fundit, në televizionin shqiptar TVSH flisnin protagonistët e futbollit italian e shqiptarë ndërsa ekspertët analistë të futbollit edhe propozuan që për të bërë ndryshime: na duhet një trajner më i gjallë. Unë po shtoj: .. e jo një që merret me intriga, e fyen yllin tonë kombëtar. “Gjatë krizës dëshmohet karakteri ” (Helmut Schmid), e ti na shave me fjalë helmi. Ciao Gianni De Biassi Ciao, sot ose nesër do të jesh një kapitull i mbyllur për shqiptarë, por Taulant Xhaka është dhe mbetet ai Mbreti i paparë.

Hava Kurti Krasniqi, mediatore ndërkulturore, Zvicër

* Ky është një opinion i autores dhe nuk reflekton patjetër qëndrimin e redaksisë