Gruaja

Leunora Xhemajlaj ,”Face of Switzerland 2012″

Ndryshe nga gara për “Mis Zvicra”, në "Face of..." është vetëm fytyra ajo që vlerësohet

Një juri profesionale prej 6 anëtarësh i ka ndarë ditë më parë në Cyrih shqiptares 20 vjeçare Leunora Xhemajlaj titullin “Face of Switzerland 2012”. Kjo është një e arritur e madhe për vajzën e bukur nga Rombach-u i Aargaut, e cila, të dielën që vjen, feston ditëlindjen e saj të njëzetë.

Me zgjedhjen si “Fytyra e vitit e Zvicrës”, Leunora ka realizuar një ëndërr të kahmotshme. Që në fëmijëri ajo kishte pasur shumë dëshirë të konkurronte për t`u zgjedhur mis. Në fakt kjo dëshirë iu plotësua asaj gjatë verës që shkoi, kur, në “Mis Kosova 2012” hyri në mesin e dhjetë më të bukurave dhe fitoi çmimin “Mis fotogjenia”.

Suksesi i arritur në Kosovë e kishte trimëruar atë që të merrte pjesë edhe në garën për “Face of Switzerland 2012”.

Të mbash këtë titull, për Leunorën do të thotë shumë. “Fytyra ime e përcjell tutje simpatinë e Zvicrës”, thotë ajo. Leunora kishte pasur gjithmonë dëshirë që ta përfaqësonte Zvicrën në ndonjë mënyrë. Përkundër rrënjëve të saj kosovare, ajo identifikohet plotësisht me Zvicrën. “Unë kam lindur dhe jam rritur këtu. Zvicra është vendlindja ime”.

Gara e kishte joshur atë edhe për faktin se, ndryshe nga gara për “Mis Zvicra”, kandidatja nuk është e detyruar të jetë perfekte në gjithë paraqitjen e saj. “Këtu nuk kërkohet një `pako komplete`, por është fytyra ajo që vlerësohet”, thotë Xhemajlaj e cila është e gjatë “vetëm” 1.68 m.

Leonora jeton akoma te prindërit në Rombach dhe punon në administratën e një tregtoreje me artikuj për zyra, në Hünenberg. Deri më tash në vendin e punës udhëtonte me trafik publik. Por, falë çmimit të fituar, ajo tash e tutje do të udhëtojë me veturën që i është dhënë në dispozicion nga “Face of Switzerland”. Natyrisht, pas 6 muajsh ajo duhet t`ia kthejë sërish këtë makinë sponsorit.

Suksesi nuk i ka “rënë në kokë” Leunorës. Ajo dëshiron që patjetër të vazhdojë punën në profesionin që e ka mësuar ndërsa modelimin do që ta ketë si hobi. Tash për tash nuk mendon që t`i kushtohet plotësisht karrierës së modeles, thotë ajo për gazetën “Baselandschaftlichezeitung”.

“Tash duhet të shoh njëherë se çfarë më ofrohet. Unë, natyrisht, nuk do të kisha asgjë kundër ndonjë oferte”, thotë Xhemajlaj. Ndërkohë, menjëherë pas kurorëzimit të saj si “fytyra e Zvicrës”, Leunorës tashmë i kanë ardhur ofertat e para nga bota e marketingut.

Foto galeri