Shkurt.ch

Leuthard: Gratë në qeveri, më të guximshme se burrat

Ajo ka thënë se Këshilli Federal (qeveria e vendit) në kohën kur ka pasur një shumicë femërore ka marrë vendime më të guximshme se sa në përbërjen kur ka dominim mashkullor

Ministrja federale Doris Leuthard, e cila vjen nga CVP (Partia Demokristiane) ka bërë mjaft bujë me një deklarim të saj në kuadrin e intervistës për gazetën “NZZ am Sonntag”. Ajo ka thënë se Këshilli Federal (qeveria e vendit) në kohën kur ka pasur një shumicë femërore ka marrë vendime më të guximshme se sa në përbërjen kur ka dominim mashkullor.

Leuthard thotë se nga përvoja e saj ka konstatuar se gratë në postet ekzekutive janë më pak të varura nga kufizimet politike brendapartiake se sa meshkujt, transmeton albinfo.ch. Kështu, sipas saj, në vendimin e marrë në vitin 2011 për braktisje të energjisë nukleare, vendimtare ka qenë përbërja e qeverisë, në të cilën ka pasur më shumë gra se burra.

Ndërkaq, për të mbajtur numrin ekzistues të grave në Këshillin Federal edhe pas dorëhewjes së saj të planifikuar, Leuthard e sheh më shumë përgjegjëse Partinë Liberale (FDP-në) se sa CVP-në.