Bota

Libia kundërshton ndërtimin e kampit për t’i strehuar emigrantët ilegalë

“Libia është absolutisht kundër Europës që na kërkon zyrtarisht, që të strehojmë emigrantë ilegalë, që Bashkimi Europian nuk dëshiron t’i marrë”, deklaroi kryeministri libian për Bild.

Vendi qendror i Afrikës Veriore nga ku shumica e emigranteve marrin anijet për të emigruar drejt BE-së, Libia, ka refuzuar që të ndërtojë kampin qendror të azilkërkuesve të kërkuar nga vetë perëndimi.

Kryeministri libian, Fayez al-Sarraj tha për gazetën Bild se është tërësisht kundër këtij plani dhe se qëndrimi i tij nuk do të lëkundet as nga ofertat financiare të Bashkimit Europian.

“Ne jemi absolutisht kundër Europës që na kërkon zyrtarisht, që të strehojmë emigrantë ilegalë, që Bashkimi Europian nuk dëshiron t’i marrë”, deklaroi kryeministri libian për Bild.

Ai bile ka thënë se Libia është e vetme në luftën kundër emigrantëve të paligjshëm.

“Anijet tona patrullojnë çdo ditë në detin Mesdhe, për të shpëtuar emigrantët, por ne jemi lënë të vetëm në këtë betejë. Libia ka nevojë për mbështetje njerëzore dhe financiare, që të përballojë fluksin e shpëtimit të emigrantëve”, tha lideri i Libisë.

Qeveritë konservatore europiane janë të shqetësuara nga fluksi i mundshëm i refugjatëve dhe ata kërkojnë që një kamp qendror për emigrantët e paligjshëm të ndërtohet jashtë zonës Shengen. Një ofertë e tillë hë për hë është refuzuar jo vetëm nga Libia, por edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia.