Kosova

Liderë shtetërorë bëjnë homazhe te shtatorja e Skënderbeut

Garda ceremoniale është rreshtuar në sheshin “Skënderbeu” për të nderuar të gjithë ata që shkuan për të bërë homazhe para shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në 550 vjetorin e vdekjes.

Homazhe para shtatores së Skënderbeut kanë bërë edhe drejtuesit e Institucioneve të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Pas vendosjes së kurorave me lule, kryeministri i Kosovës, Haradinaj tha se këto ditë kujtojnë veprën e madhe të heroit kombëtar.

Me këtë rast Haradinaj ka kujtuar edhe heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka të cilët para 36 vitesh u vranë në Gjermani.

“Ky nderim bëhet në përvjetorin e vdekjes së heroit tonë. Njëkohësisht është pjesë e aktiviteteve të përbashkëta të dy qeverive, të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, për vitin mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Në këtë ditë kujtojmë gjithë veprën e madhe, luftën e madhe dhe gjithë të arriturat e heroit tonë. Të arritura në të cilat edhe ne sot ndërtojmë të tashmen dhe e kemi të garantuar të ardhmen”, tha kryeministri Haradinaj.