Kosova

Liderët e ngushëllojnë Haradinajn për vdekjen e babait

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe liderët e tjerë institucionalë e të partive politike kanë ngushëlluar familjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, me rastin e vdekjes së babait të tyre Hilmiut.

Presidenti ka thënë se Hilmi Haradinaj përballoi shumë sfida, por që ishte burrë i matur dhe atdhetar i devotshëm, përcjell albinfo.ch.

“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të bacës Hilmi. Ishte një burrë i urtë, i matur dhe atdhetar i devotshëm, që Kosovës i dha shumë. Baca Hilmi përballoi shumë sfida në jetë. Ngushëllimet më të sinqerta kryeministrit Haradinaj, familjarëve dhe gjithë miqve të tyre. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, ka shkruar Thaçi.

E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka anuluar të gjitha kuvendet zgjedhore të parapara për ditën e sotme, për shkak të vdekjes së Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit.