Kosova

Ligji për ndërtimet pa leje, do t’i eliminojë burokracitë komunale

Komisioni, me vetëm një votë kundër nga Lista serbe ka miratuar projektligjin për trajtimin e objekteve pa leje. Po ashtu është miratuar sot projektligji për kompleksin memorial “Adem Jashari”

Anëtarë të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural kanë miratuar projektligjin për trajtimin e objekteve pa leje, për të cilin u tha se do të ketë mundësi që procesi i legalizimit të shkojë më mirë, pasi do të ketë kosto më të lirë dhe procedura të shpejta.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Liburn Aliu tha se shpreson që me këtë projektligj do të ketë mundësi që procesi i legalizimit të shkojë më mirë. Mirëpo, ai shtoi se nuk mund të bëhet asnjë legalizim pa u zgjidhur çështja pronësore.

Kryetari i komisionit, Daut Haradinaj, tha se plot projekte, duke filluar nga aeroporti “Adem Jashari”, autostrada “Ibrahim Rugova”, stadiumi i qytetit në Prishtinë e shumë projekte të tjera nuk kanë leje, dhe se të gjitha ato duhet t’i nënshtrohen procesit të legalizimit.

Komisioni, me vetëm një votë kundër nga Lista serbe ka miratuar projektligjin për trajtimin e objekteve pa leje. Po ashtu është miratuar sot projektligji për kompleksin memorial “Adem Jashari”. Kjo pikë nuk ka qenë në rend të ditës të komisionit por deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, propozoi që të hedhet në votim ky projektligj. Anëtarët e komisionit e kanë votuar projektligjin në parim dhe i njëjti do të procedohet në Kuvend.