Lajme

Linjë transporti me Aeroportin “Adem Jashari”

Drejtori i Aeroportit të Prishtinës, Haldun Firat Kokturk tha se janë duke pritur lëshimin në qarkullim të një autobusi nga aeroporti për Prishtinë

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku thotë se shumë shpejt do të lëshohet një linjë e rregullt e autobusit nga Prishtinë për në Aeroportin Ndërkombëtarë “Adem Jashari”, me qëllim që t’u lehtësohet pasagjerëve vendorë dhe të huaj, qarkullimi më i lehtë me arterien e vetme ajrore të Kosovës.

Me lëshimin e kësaj vije, edhe Aeroporti “Adem Jashari” do të bëhet me transport urban, pasi që, deri më tni është i vetmomi aeroport në rajon, që nuk ka linjë të rregullt me kryeqytetin. Për të shkuar apo për t’u kthyer nga aeroporti duhet paguar taksi me vlerë, shpesh më të lartë se gjysma e biletës së aeroplanit.

Drejtori i Aeroportit të Prishtinës, Haldun Firat Kokturk për RK ka deklaruar se janë duke pritur realizimin e një iniciative të tillë të qeverisë.

“Qeveria e kaluar ka marrë iniciativë se do të sigurojë një autobus pa pagesë, ne po presim rezultatin e kësaj. Nëse sigurohet ky transport, problemi do të zgjidhet. Nëse nuk marrim një përgjigje pozitive, ne padyshim që me qëllim për të siguruar një qasje më të lehtë në aeroport, kemi në plan për të marrë masa”, deklaroi ai.

Sipas drejtorit turk të aeroporti, nga qeveria kanë marrë premtime se shumë shpejt do të sigurojë një linjë me çmim shumë të arsyeshëm, ose pa pagesë, për pasagjerët.

Ministri aktual i Infrastrukturës, Lutfi Zharku tha se do të interesohet për këtë gjë, sepse sipas tij, linja e autobusit është më lehtë e realizueshme sesa linja hekurudhore të cilën e ka në plan. “Të jem i sinqertë, autobus jo por më shumë kam mendua ndoshta me pas me tren, me gjet një mundësi për të ndërtuar një vijë hekurudhore. Ndërsa linja e autobusit në drejtim të aeroportit mund të realizohet shumë shpejt”, tha ai.

Ndryshe, për të rregulluar linjën e transportit Prishtinë-Aeroport është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës, respektivisht e Ministrisë së Infrastrukturës. Përgjegjësia bie mbi këto ministri, sepse hapësira e Aeroportit është nën administrimin komunal të Lypjanit, prandaj kërkon ndërhyrje e qeverisë qendrore për ta zgjidhë problemin ndërmjet dy komunave.

Albinfo.Ch ka raportuar para disa javësh për këtë shqetësim të bashkatdhetarëve dhe ka kontaktuar me Ministrinë e Infrastrukturës. Zyrtarë nga ky dikaster thanë se ministra i ka të aprovuara dy linja nga Stacionin i Autobusëve për Aeroportin “Adem Jashari”.

“Më lejoni që të ju informoj mbi nisjet-kthimet e miratuara nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës sa i përket Transportit në relacionin Aeroport-Prishtinë dhe anasjelltas. Janë dy nisje të miratuara në transportin e rregullt të udhëtarëve bazuar në rendin e udhëtimit dhe ato janë: Nisja nga Aeroporti në ora 9:30 dhe 13:35 dhe kthimi nga Prishtina në ora 10:35 dhe 14:35”, thuhet në përgjigjen shkurt të Ministrisë.

Mirëpo zyrtarë nga transportuesit kanë thënë se këto linja nuk janë të rregullta, por janë transit. “Ministra ka aprovuar linjat që shkojnë për Prizren, respektivisht kthehen nga Prizreni. Ato linja nëse kanë udhëtar hyjnë në aeroport, nëse jo vazhdojnë drejt për Prizren”, ka thënë më herët ky burim, duke u shprehur skeptikë se kjo çështje do të zgjidhet shpejt.